Qyteti i lashtë i Shkodrës jo rastësisht e gëzon emrin e madh që ka. Jehona vjen nga shekujt, që nga koha e Agronit e Teutës e deri te Rrethimi i famshëm i Shkodrës, kur qyteti u bëri ballë osmanëve edhe për 15 vjet mbas vdekjes së Gjergj Kastriotit – qëndresë që i dha edhe më shumë emër e lavdi kësaj qendre të lashtë.
Shkodra njihet më shumë me emrin italian Scutari, dhe janë së paku 8 qytete në botë që kanë rrugë me emrin e qyteit të njohur shqiptar:
Një nga rrugët kryesore në Venecia dikur e njohur si Venedik – quhet Via Scutari. Emri i kësaj udhe të vjetër e mjaft të vizituar nga turistët domethënë “Rruga e Shkodrës.” Është dëshmi e lidhjeve të hershme që qyteti shqiptar ka pasur me Republikën e Venedikut.
Në Stamboll, një lagje e tërë mban emrin Uskudar, që është variant osman i emrit Scutari. Edhe ky vend është emërtuar për nder të famës së Shkodrës, siç shënojnë kronikanët e kohës. Një tjetër provë që përforcon këtë lidhje me shqiptarët është fakti që përballë Uskudarit ndodhet lagjja Arnavutköy, që domethënë “Fshati Shqiptar.” Këto dy lagje i ndan vetëm ngushtica e Bosforit.
Londra ka gjithashtu një rrugë me emrin e Shkodrës: Scutari Road. Gjendet në një anë të vjetër dhe mjaft të pasur të qytetit.
Në hartën e një qyteti të vogël në jug të Francës një tjetër rrugë shkodrane. Në Aïcirits-Camou-Suhast ndodhet Rue Escutary. Është interesante pse ka zënë vend emri i Shkodrës në një zonë baske përgjatë kufirit me Spanjën.
Në Hualpen (shq. Walpen) të Kilit të largët ka po ashtu një rrugë me emrin e Shkodrës, Escutari. Vendbanimi latinoamerikan ka edhe rrugë tjera me emra të qyteteve shqiptare, për të cilat kam shkruar më parë.
Por nga të gjitha vendet, Italia ka më së shumti shtigje që nderojnë Shkodrën. Po i rendis me radhë disa qytete që i gjeta: Katania, Kozenca, Milano, Massa dhe Viareggio.
Në Beograd, kryeqytetin e Serbisë, lagjja më e vjetër dhe zona më e vizituar sot nga turistët quhet Skadarlija. Emrin ia kanë vënë banorët e dikurshëm që shpresonin që lagjja e tyre t’i ngjante sadopak Shkodrës. Janë disa kronika që shpjegojnë se përse serbët kërkonin të imitonin qendrën më të njohur të Ballkanit të kohës, Shkodrën.
Një rrugë në Zagreb është pagëzuar Skadarske Ulice. Shqip i bie “Rruga e Shkodrës.”