Sonte është natë Krishtlindjesh. E gjithë bota e krishterë pret dhe i gëzohet lindjes së Jezu Krishtit, Shpëtimtarit të botës. Kjo natë, është personifikim i lindjes, ardhjes së një jete të re, i shtimit të familjes.
Për një familje në Shkodër, pavarësisht besimit, kjo natë merr një kuptim të veçantë. Janë shtuar jo me një, por me tre fëmijë njëherësh apo trinjakë siç quhen në gjuhën shkencore. Lajmin e veçantë, e ka dhënë ministrja e Shendetësisë Ogerta Manastirliu në një publikim në rrjetet sociale.
“Vigjilje e bukur Krishtlindjesh në Shkodër me ardhjen në jetë të trinjakëve Lea, Danjel dhe Sindi që kanë lumturuar familjen Vata dhe të gjithë stafin mjekësor të Spitalit Rajonal Shkodër, të cilët u kujdesën që të vegjlit të jenë shëndosh e mirë.”, shkruan Manastirliu, duke e shoqëruar tekstin edhe me dy foto ku tre bebet, mbajnë në kohë një kapele Krishtlindjesh.
Sigurisht, nata e sotme është e veçantë për këtë familje shkodrane, e cila përjeton një lumturi të trefishtë me ardhjen në jetë të fëmijëve, pasuria më e madhe në jetë. ShkodraWeb i uron jetë të gjatë tre bebeve dhe lumturi kësaj familje të bekuar nga Zoti natën e Krishtlindjes.