Ndeshja e mbrëmshme mes Bërnlit dhe Sauthempton ka qenë e veçantë jo vetëm se fitorja 2-0 ka kthyer Bërnlin në garë për mbijetesën në elitë. Në pjesën e parë të sfidës, me miratimin e Premier Ligës u vendos që të ndalej takimi për disa çaste, për shkak të respektimit të lojtarëve që kishin mbajtur agjërim për Muajin e Ramazanit.
Që para fillimit të takimit, tifozëve në stadium iu bë e qartë se në pjesën e parë të ndeshjes do të kishte një ndërprerje për të respektuar iftarin e atyre që kishin agjëruara. Dhe kështu ndodhi në minutën e 41-të.
Gjyqtari i ra bilbilit sapo u ndal loja duke u bërë shenjë skuadrave që t’i drejtoheshin pankinave. Gjithçka u bë në mënyrë që Jan Valeri dhe Mohamed Eljonusi të Sauthempton, të mund të prishnin agjërimin e tyre që e kishin respektuar edhe gjatë ndeshjes.
Kështu, dy shokët e skuadrës së Armando Brojës konsumuan ushqim, ujë dhe pak xhel energjik, duke vazhduar më pas normalisht ndeshjen.