Në qytetin e vogël të Novi Pazarit gjen mjaft familje shqiptare. Megjithëse identiteti i tyre ka ndryshuar në kohë, kujtesa e të qenit shqiptar nuk është shuar.
Të njohur historikisht për zanatet e punimit të arit dhe argjendit nuk është çudi që në qytetin e vogël të Novi Pazarit, aktualisht me më pak se 100 mijë banorë të gjesh një rrugë të tërë me dyqane aksesorësh të çmuar, ku rruga e pamirëmbajtur bën kontrast me luksin e vitrinave.
Në dyqanin “Smaragd” (Smerald) pronari Redzep Škrijelj thotë se këto kohë krize ekonomike nuk janë aq të mira për stolitë. Megjithëse hyrje-daljet e njerëzve dhe interesimi për unaza, varëse, vathë e byzylykë tregon se vendasit kanë uri për objektet e metaleve të çmuara.
“Mbiemrin e kam Shkreli”
Škrijelj, profesor në Historinë Orientale në Universitetin e Novi Pazar, thotë se ky lloj biznesi është edhe pasioni i tij. Duke folur shqip dhe maqedonisht, pasi mëson kombësitë tona, ai rrëfen se familja e tij prej Peshterit, një fshat malor në rajonin e Rashkës, e kanë origjinën shqiptare.
Kthehet duke treguar një fotografi të varur në murin e dyqanit ku një malësor me qeleshe kullot bagëtitë. “Unë mbiemrin e kam Shkreli dhe familja ka emigruar prej Koplikut”, zbulon Škrijelj. Pasi u vendosën në rajonin e Rashkës, familja e tij u nis të emigronte drejt Turqisë. Me shpresën se mund të merrnin një vizë në Shkup, mbetën aty për vite.
“Unë shkollën fillore, të mesmen dhe universitetin e kam kry’ në Shkup”, zbulon historiani, ndërsa shton se zanatin e punimit të arit dhe argjendit e mësoi në Shkup. Më pas familja vendosi të kthehej edhe njëherë në Novi Pazar, ku bashkë me të vëllain Nexhibin zotërojnë dy dyqane stolish.
Në Prizren kam mësuar si punohet
Disa prej aksesorëve janë të punuara me dorë prej tij. “Por jo të gjithë janë punime dore, pasi pak interesohen për to”, thotë, ndërsa shpjegon procesin e punimit të stolive me shtampa të gatshme, por të gjitha të prodhuara në qytet.
Prej banakut, të mbështjellë në cohëra të kadifenjta nxjerr disa stoli me motive të vjetra, punuar me filigran. “Këto janë të gjyshes. Sot zor se gjen ndokënd që i prodhon. Asht’ shum’ v’shtir. Ama Tirana, Shkodra dhe Prizreni jan’ njoft për filigranin. N’Prizren kam msue’ shumë si punohet”, thotë Škrijelj, ndërsa tregon se bashkëshorten e ka marrë prej Prizrenit. “Por nuk e flet gjuha shqipe, flet gjuha turke”.
Të parët…pasi lanë Shqipërinë u martuan me gra boshnjake
Thotë se në familjen e tij kanë folur shqip dhe kur e pyesin ai thotë se ndihet nëntëdhjetë përqind shqiptar dhe dhjetë përqind boshnjak, pasi shpjegon sesi të parët e tij pasi lanë Shqipërinë u martuan me gra boshnjake. Pasi të ketë mbyllur dyqanin në rrugën e stolive, thotë se do të merret me organizimin e një eventi të rëndësishëm për të gjithë boshnjakët.
“Sot me 20 të nandorit asht’ dita e Sanxhakut dhe asht’ shumë me randsi. Sot do të kemi nji kremtim, kurse nesër asht’ nji mbramje kushtu’ poezisë boshnjake”, thotë Škrijelj, duke zbuluar se është edhe kryetar i Këshillit Kombëtar të Boshnjakëve në Novi Pazar. “Ka shumë shqiptar’t mes boshnjakve. Ngaqë kanë harru’ gjuhën janë deklaru’ si boshnjakë”, rrëfen profesori ndërsa bën një rrugëtim në histori, duke përfunduar se gjuha është një element i rëndësishëm në ruajtjen e identitetit. /Deutsche Welle/
[frontpage_news widget=”28067″ name=”Postimet e fundit”]