Një seri shkrimesh të njëpasnjëshme për Radio Televizionin Shqiptar u shfaqën papritur ditën e djeshme në disa faqe online. Përgjithësisht bëhej fjalë për portale të dorës së dytë, por pasdite vonë, një shkrim që gjithashtu vinte në shënjestër drejtorin e ri të RTSH, u postua në faqen Reporter, pjesë e rrjetit rajonal BIRN.
Autore e disa investigimeve të rëndësishme, kjo faqe ka spikatur për një nivel serioziteti, apo respektim të parimeve profesionale, përgjithësisht të harruara. Por për fat të keq, dy apo tre raportime të fundit i shkojnë ndesh këtij reputacioni të mirë, duke theksuar kurbën historike të mediave deri diku të suksesshme në Shqipëri: fillimisht rritje, kulm, më pas braktisje e standardeve dhe rënie.
Po çfarë shkruhej në Reporterin e BIRN?
Binte në sy menjëherë që artikulli ishte postuar me urgjencë të pazakontë. Kush e ndjek faqen në fjalë, e di që ata janë përgjithësisht të avashtë, nuk nxitojnë kurrë. Për më tepër, lajmi ku “i kërkohej” drejtuesit të ri të RTSH-së, të hiqte dorë nga “shkarkimet arbitrare”, nuk kishte burim të dytë.
Në raportim nuk gjendej versioni i vetë RTSH-së për ngjarjen, sjellje kjo, fort e pazakontë, për profesionistët e BIRN. Artikulli citonte ndërkohë, në mënyrë të njëanshme, një mori organizatash, të cilat, sipas Reporterit, janë shumë të shqetësuara nga vala e “shkarkimeve në RTSH” të ndërmarra nga drejtuesi i ri, Alfred Peza.
Organizatat e cituata janë shumica shoqata të fjetura, dukshëm të kërkuara enkas për rastin. Por ndër personat shumë të alarmuar për shkarkimet në RTSH spikat zoti Rikardo Gutierez, që prezantohet në Reporter, si drejtues i një shoqate gazetarësh në nivel europian.
Emri Gutierez ishte flakërues edhe në pezmatimin e madh që u shfaq tek e njëjta faqe, dy ditë më parë, për rastin e mesazheve të kryebashkiakut Erion Veliaj me një punonjëse të Reporter, e cila kishte “ngatërruar” kohët e shkresave mbi hetimin për djegësit e plehrave në Tiranë.
Burimi i z.Gutierez nuk duket fort i paanshëm. Një kërkim i thjeshtë i DITA nxjerr se një nga shoqatat shqiptare të mediave të cituara shpesh nga Reporter është anëtare e “Federatës” që drejton z.Gutierez. Shoqata në fjalë drejtohet nga një analist afër Berishës. Dhe nga kërkimi del se personi i kontaktit i kësaj shoqate është njëherazi punonjës i Reporter.
E thënë më thjesht, “deklaratat” e Gutierez për Reporter bëjnë qark të mbyllur brenda vetë Reporterit, nëpërmjet rrogëtarit të një analisti dukshëm krah opozitës. Nëse kjo, nuk është një thyerje etike, për standardet e BIRN, është dukshëm një llangosje politike e raportimeve të Reporter në lëmin e medias.
Por le të kthehemi te RTSH.
Një shkrese të gazetës DITA për numrin e të shkarkuarve, pasi drejtimi është marrë nga gazetari veteran Alfred Peza, RTSH iu përgjigj me shifrat e mëposhtme:
“Ka 6 ndërprerje të marrëdhenies së punës për dalje në pension.
– 14 ndërprerje të marrëdhënieve të punës me kërkesën e vetë punonjësve (dorëheqje)
– 7 ndërprerje të marrëdhënies së punës për mosparaqitje në punë (prej kohësh), shkelje flagrante të rregullave në punë ose moszbatim i urdhërave të drejtperdrejtë. Të gjitha, përmes një procedure strikte ligjore nga çdo pikëpamje”.
DITA konsultoi shifrat zyrtare. Del se RTSH ka 1.046 vetë në organikë. Shkarkimet e përfolura janë 21 në total, pra vetëm 0.02 përqind!
Atëherë pse kaq zhurmë?
Ka arsye të besohet se sulmet e orëve të fundit, kanë shtysa të tjera, jashtë gazetarisë. RTSH po i nënshtrohet këto kohë një auditi nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Nuk janë të paktë ata që besojnë se mjegulla për “shkarkimet”, shpresohet të shërbejë për ta zbehur shikimin mbi atë që ka ndodhur me financat e këtij institucioni.
Burime nga KLSH konfirmuan për DITA se auditi ka zbuluar probleme të rënda dhe disa nga dosjet e të shkarkuarve do përcillen në SPAK.
Vëzhgime të tjera plotësojnë panoramën e një institucioni të abuzuar rëndë në vite. Thuhet përshembull se RTSH nuk i paguan mirë gazetaret në raport me tregun privat. Por çdo mëngjes, në parkingun e RTSH futen e dalin makina të shefave sektorialë, që kushtojnë me dhjetëra, e deri në mbi 100 mijë euro secila.
Në kontrast me këtë, shifrat e vetë institucionit tregojnë një dështim të tij, jo vetëm profesional. Sa për të marrë, një shembull: Të ardhurat nga reklamat (marketingu) zenë rreth 3% të totalit. Kanalet e tjerë kombëtarë si Top Channel dhe TV Klan mbahen 100% nga të ardhurat e marketingut dhe monetizimi dhe arketojnë (në 2022, rreth 31 milione euro të dyja sëbashku) ose mbi 20 herë më shumë sesa RTSH.
Abuzimet kanë ecur paralel edhe me rënien profesionale.
Të pyetur nga DITA, punonjës të institucionit pohojnë nën zë se fillimisht duhet thyer miti i “të paprekshmëve” që kanë pritur e përcjellë drejtorët e përgjithshem me radhë. Dhe ata kanë vijuar te “mbretërojnë” mbi gërmadhat e një RTSH-je që sa vjen e rrënohet vit pas viti e dekadë pas dekade.
Nuk duhet harruar se ky institucion gjigand, ka mbështetje të fortë nga buxheti dhe taksapaguesit, mbështetje të cilën dukshëm nuk e justifikon.
Dikush që kërkon ndryshim, në një situatë të tillë, detyrimisht do lëvizi njerëz e do rindërtojë stafe. Kush do të kundërtën, mbron parazitizmin. Mendimi i të pyeturve në kuadër të këtij vëzhgimi, është në shumicë dërrmuese se përpjekjet për ta ndryshuar situatën atje duhen mbështetur.
Dhe ja një rekord, të cilin vetë RTSH duhet ta dërgojë për aplikim në edicionin e librit Guinness të këtij viti: Pas 33 vjetësh, të hënën 17 korrik 2023, për herë të parë… në RTSH nuk kishte asnjë mungesë pa arsye në punë!!
Një fakt domethënës ky, që me sa duket, u ka shpëtuar profesionistëve të BIRN dhe Federatës Evropiane të të nderuarit Gutierez… /Nga Johana Lubonja, botuar në DITA/