Gjatë prezantimit të paketës së investimit në Alpe nga Kryeministri Rama, rruga e Komanit nuk ka shpëtuar nga vëmendja e këtij diskutimi. Një nga rrugët që ka qënë në vemendjen e kryebashkiakut Benet Beci që në kohën kur ai ishte deputet dhe drejtues i Koorporatës Elektroenergjitike.
Ka qënë kryebashkiaku Benet Beci i cili pas prezantimit të projektit për qendrën e Thethit ka shpjeguar konceptin e të gjithë këtyre investimeve që krijojnë një mozaik të plotë të ndërhyrjeve duke e kthyer Shkodrën qendër rajonale.
Në fjalën e tij kryeministri Rama, i ka garantuar kryebashkiakut se edhe rrugën e Komanit do ta bëjë pavarësisht se nuk është në territorin e bashkisë Shkodër.
“Beneti tha për rrugën atje, nuk e përmendi Komanin se ka filluar të bëhet kështu provincial shkodran, vetëm Shkodrën, por bëhet fjalë për rrugën e Komanit, Benet, po e ka bashkia tjetër, mos u bëj xheloz. Kështu që edhe atë do ta bëjmë.”
Rruga e Komanit konsiderohet si një ndër akset më të rëndësishme për zhvillimin e Alpeve ndërkohë që sot me garancinë e Kryeministrit Rama duket se pas rrugës së Dukagjinit e cila pritet të përfundojë në fund të vitit, rruga e Komanit do të jetë investimi i radhës i rëndësishëm infrastrukturor që i shërben zhvillimit të turizmit në “Tajlandën shqiptare” në Lumin e Shalës pjesë e Bashkisë Shkodër.