Lexon shpjegimin e Kryeministrisë dhe duket se hamendjet bien me lehtësi përpara të vërtetës së thjeshtë. Duket sikur ajo pak transparencë u ka munguar gjithë historive me Kryeministrin që shpenzon miliona për veshje, udhëtime dhe llastime të tjera luksoze.
Ai është vetëm viktimë e rrethanave. Ishte me pushime kur i erdhi papritur një ftesë nga Presidenti i Juventusit që me siguri do jetë një nga adhuruesit e tij. Vendos ta pranojë ftesën, por nuk i përputhen oraret. Në axhendë ka një mbledhje informale të qeverisë në rezidencën qeveritare të Vlorës. I duhet një mjet për të arritur në kohë në Torino dhe ja ku del rastësisht çarteri i Igli Tares.
Përfiton nga hyrja VIP për të bërë autostop në pistë. Fati është me të, Igli Tare është duke shkuar në të njëjtin destinacion. Udhëtim pa pagesë, zero shpenzime nga buxheti i shtetit, zero shpenzime nga xhepi. Nuk është abuzim, është thjesht fat. Qetësohesh, mbyll portalet, mbyll televizorin dhe vendos t’i japësh fund me këtë histori. Në sfond dëgjohet një zhurmë monotone si ajo e molës, që gërryen rrobat. Në fakt është mola e dyshimit që gërryen ndërgjegjen me disa pyetje të thjeshta.
Gjithë ky fat, kjo seri koincidencash pse nuk i ndodhën Edi Ramës kur nuk kishte pushtet? Çfarë raporti ka Kryeministri i Shqipërisë me një biznesmen të madh në Itali, që të marrë një ftesë të kushtueshme prej tij? Çfarë raporti ka me Igli Taren që të përfitojë nga çarteri? A janë këto dhurata pa kthim? A janë këto dhurata të ligjshme? A ka një ligj për dhuratat për funksionarët e lartë? Këtyre pyetjeve për fat të keq nuk u jepte përgjigje sqarimi i Kryeministrisë dhe përgiigjet që vijnë në mendje, të çojnë prapë në rrugën e fillimit.
Hap sytë dhe kupton që nuk mundet që ky zinxhir koincidencash të ndodhë në rastin kur udhëtimi luksoz i Kryeministrit u denoncua nga një eksponent i opozitës. Në fakt ky është zinxhiri që kryeministria do të lidhë edhe një të vërtetë tjetër, që po të bashkohet me udhëtimet luksoze të Ramës në Mynih tek Bajerni, në Kinë me një biznesmen tjetër, në galerinë më të shtrenjtë të New York-ut, në galerinë më ‘in’ të Europës, të nxjerr tek një e vërtetë e madhe: tashmë ai është shndërruar në Emirin e këtij vendi, që e trajton si emirat.
Ndërsa mundohet të plotësojë listën e mungesave, të hakmerret për listën e frustrimeve, e sheh të lehtë që për cdo tekë të plotësuar të falë pasuri nga vendi, si të jetë pronar i tij. Me këtë lehtësi i jep Stadiumin Kombëtar një biznesmeni, Teatrin Kombëtar një biznesmeni tjetër, bregdetin një tjetri, buxhetin e shtetit- taksat disa të tjerëve. Të gjitha këto mundësojnë llastimin e tij, shpenzimet pa frena për të plotësuar çdo tekë, çdo mungesë cdo frustim. Do të ekspozojë veprat e tij mes piktorëve më të njohur të botës, e bën pavarësisht kostos. Do të spikasë si tifoz i një skuadre fituese, pasi ka qenë më humbësit më parë, carteri është aty, ftesa vjen në Dhërmi.
Do të futet në historinë e basketbollit, i jep një tender Tërmetit dhe ai e tund si ia ka qejfi 54- vjecarit që po blen të shkuarën me çmimin e shkatërrimit të së tashmes dhe të ardhmes së atyre që qeveris. Do që mediat ta quajnë shpëtimtar, ua jep buxhetin e shtetit me projektin 1 miliardë, apo me dëmshpërblime për gjoja dëmet që u ka bërë pronarëve të tyre në kohën kur nuk e fërkonin. Emirati është nën pushtetin e tij, qytetarët e kanë pranuar fatin e tyre. Ndërsa media përpërlitet duke dhënë shpirt, për opozitën, do të mjaftonte një komision hetimor për ta nxjerrë Emirin lakuriq. /Nga Enton ABILEKAJ/