Për herë të parë në një rol protagonist e me një lojë kurajoze me Xhevdet Ferrin në filmin “Hije që mbeten pas”, regjisori Esat Musliu e veçon Matildën si një nga talentet e jashtëzakonshme që ka pasur kinemaja jonë. “Në këtë film ajo ka treguar gjithë potencialin e saj, sa keq që u shkëput aq herët nga kinematografia…”, thotë regjisori. Musliu kujton se në ’85-ën, gjatë xhirimeve të “Hije që mbeten pas”, Makoçi, e fejuar me Edi Ramën, shoqërohej shpesh nga ky i fundit. Kryeministri ka qenë prezent dhe në episodin e fundit, të cilin regjisori e veçon si nga më të vështirët, ku frikën e territ të natës ia shtonte edhe valixhja me paratë e vërteta, me të cilën duhet të realizonte skenën finale mes Matildës dhe Xhevdetit.
Flasim për vitin ’85, periudhë kur aktorja Matilda Makoçi ka qenë e fejuar me Kryeministrin Edi Rama. Si ishte qasja e Matildës ndaj kolegëve dhe a ka asistuar ndonjëherë Rama në xhirime?
Regjisori Esat Musliu: Matilda, përveçse një aktore jashtëzakonisht e talentuar, ishte një vajzë shumë e komunikueshme. Është e vërtetë, asokohe ishte e fejuar me Edi Ramën dhe ai vinte shpesh në xhirime, por rrinte i mënjanuar, nuk përzihej me ekipin e filmit. Priste Matildën disi i distancuar sa mbaronte xhirimet, pastaj e merrte dhe largoheshin bashkë. Unë me të s’kam pasur asnjë lloj komunikimi, as dorën s’ma ka dhënë, as më ka pyetur se si po shkojnë xhirimet apo diçka tjetër. Kryesisht rrinte mënjanë i ulur diku, qoftë në dritë apo në errësirë. Kujtoj se ka qenë i pranishëm edhe gjatë episodit të fundit me paratë, sepse xhirohej natën. Mirëpo, nuk ndërhynte, shikonte marrëdhënien e vet me Matildën, komunikonte vetëm me të.