Me 14 maj 2023, Tonin Marinaj nisi mandatin e tretë radhazi në krye të Bashkisë Malësi e Madhe. Nisur në 2015- ën, në 2027- ën, pavarësisht dëshirës së tij, të PS- së apo edhe malësorëve, ai i jep fund rrugëtimit së kryebashkiak. Është ligji organik 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore” që përcakton maksimumi 3 mandate të njëpasnjëshme. Pa bërë të paktën një mandat “pushim”, nuk mund të rifutet në garë as Tonin Marinaj.
Ky fakt, i cili është i pamohueshëm dhe i patjersueshëm, ka ngjallur “orekset” për pasues të Marinaj në krye të Bashkisë Malësi e Madhe. Pak javë pas zgjedhjeve, drejtues politikë lokalë dhe këshilltarë të PSD- së, nisën gradualisht “opozitën” edhe pse në zgjedhjet e 14 majit, ishin aleatë (jo zyrtarë sigurisht për shkak të ‘non gratës’ që ka kryetari i tyre) për fitoren e përbashkët. Opozitë, sidomos në kushtet kur opozita që duhet të jetë vertetë opozitë, është në derexhenë që të gjithë e dinë.
Mbështetur edhe në individë me qejfmbetje të vockla personale, në disa hapësira mediatike me ndikim të kufizuar edhe lokal, PSD- ja denonconte “keqqeverisjen”, sipas saj, të 8 viteve të fundit nga Tonin Marinaj dhe administrata e tij. Papritmas, edhe pse nuk u krijuan një ditë pas 14 majit, “u zbuluan” në territorin e Malësisë së Madhe shumë “mëkate” të administratës bashkiake, të cilat nxitohej të bëheshin publike përmes rrjeteve sociale apo edhe hapësirave mediatike në dispozicion, të cilat “për inat të vjehrrës, flinin edhe me mullixhinë”.
E kështu, historia vijoi deri para 48 orëve, kur PSD- ja doli publikisht, institucionalisht kundër administratës Marinaj, PS- së, duke rrëzuar me mosvotim buxhetin e vitit 2024. Po aludohet shumë, po flitet për nisje të një reaksioni zinxhir në të gjitha bashkitë e qarkut Shkodër, ku PSD- ja mund ti tërheqë mbështetjen kryebashkiakëve socialistë në këshillat bashkisë. Në fakt, është shumë më e thjeshtë se kaq.
Në Malësi të Madhe me 14 maj, PSD- ja rezultoi forcë e parë politike me 8 këshilltarë. Bashkë me PS- në, mori 14 të tillë, as gjysmën e 31 këshilltarëve që ka KB- ja Malësi e Madhe. Një këshill bashkiak i fragmentarizuar, i cili më shumë se mbi baza politike- ideore, funksionon mbi interesat individuale të këshilltarëve të tjerë dhe jo partive të përfaqësojnë. Me përjashtim të PD- së dhe “BF”- së, këshilltarët e tjerë marrin vendime personale, miqësore e shoqërore.
E kështu, me daljen kundër të PSD- së, e cila ka më shumë se 25% të Këshillit Bashkiak, është shumë e vështirë të krijohet shumicë për të mbështetur Tonin Marinajn, edhe pse për buxhetin, një votë më shumë do të kthente në “flluskë sapuni” atë që mund të konsiderohet “kundërrevolucion” lokal i PSD- së kundër individit kryebashkiak, në kuadër të zgjedhjeve të 2027- ës por edhe “bonuseve” të tjera deri atëherë….
Edhe PSD- ja e Malësisë së Madhe e di se “pilafi” bëhet në qendër. Ashtu siç është e sigurtë se pa u konsultuar apo marrë miratimin e qendrës, nuk mund të fillonte e as vijonte “kundërrevolucioni” lokal. Siç edhe, nëse vjen urdhri nga qendra, PSD- ja rikthehet në krah të Marinajt si mbështetëse më e fortë edhe se vetë PS- ja.
Pakkush, ndoshta askush në Malësi të Madhe, e beson se “kundërrrevolucioni” i PSD- së është parimor, reflektiv dhe moral. Nëse do të ishte kështu, siç ka ndodhur këto 30 vite, do të ishte “qendra” që do të deklaronte publikisht qendrimin kundër, duke i hequr mbështetjen politike PS- së në të gjithë vendin. Kjo e Malësisë së Madhe është një “lojë” e vockël, mbase edhe provë në prag të zgjedhjeve politike të 2025- ës. Dihet se oreksi vjen duke ngrënë. Me 14 maj, nga numri i këshilltarëve në 5 bashkitë e qarkut të Shkodrës, PSD- ja doli forcë e parë politike. Si rrjedhojë, me marrëveshje politike të pashkruar, mori postin e kryetarit të Këshillit të Qarkut.
Për zgjedhjet vendore të 2027- ës, është akoma shumë, shumë shpejt të nisë “loja”. Jo vetëm që ndryshojnë qindra herë konfigurimet politike në nivel lokal e qendror por edhe “lojtari” mund të lodhet në “nxehje” pa nisur akoma ndeshja. Dhe kur futet në fushë, rezultati dihet. Nëse ia del të futet në fushë… /Dekriptim ose zhdavaritje nga ShkodraWeb/