Nga Habjon HASANI
Ish-drejtori i KESH Benet Beci dhe drejtoresha e besuar e tij Erideta Bashi janë protagonistë të një afere me kompaninë serbe N4T (NetworkForTrading), ku rezultojnë të grabitura 2.6 milionë euro që si rregull duhej të ishin arkëtuar menjëherë nga KESH-i.
Një dokument i siguruar nga Hashtag.al zbulon gjithë fabulën e grabitjes flagrante të 2.6 milionë eurove nga kompania serbe, grabitje që nuk do të kishte ndodhur dot nëse Beci dhe drejtoresha e tij do të kishin respektuar termat e kontratës për ndërprerjen e menjëhershme të shitjes në rast të mos pagesës së garancisë nga ana e kompanisë blerëse.
Benet Beci u tërhoq formalisht nga drejtimi i KESH-it pak javë para zgjedhjeve të 25 Prillit. Ai komandoi një tjetër drejtues në krye të KESH, por përgjatë fushatës elektorale e deri në korrik 2021, ishte Beci ai që kontrollonte sidomos aktivitetin tregtar të KESH-it.
Njeriu kyç i Benet Becit ishte drejtoresha e shitjeve në këtë periudhë, zonja Erideta Bashi. Në korrik ndryshon loja, në krye të KESH-it emërohet Ergys Verdho, ndërsa drejtori i ri i shitjeve, Vladimir Hodaj zbulon skandalin, shkresa konfidenciale e Hodajt është siguruar nga Hashtag.al.
Sipas përmbledhjes që bën Hodaj, në dy raste të përsëritura në periudhat kohore 29 Maj-6 Qershor 2021, si dhe 7-11 Qershor 2021, kompanisë serbe N4T i është shitur energji, pa mbajtur garancinë e pagesës në datën e caktuar nga kontrata, ndërsa historia është përsëritur pak ditë më vonë dhe KESH ka lidhur kontratën e dytë me kompaninë serbe, ndërsa këta të fundit nuk kishin shlyer ende kontratën e parë.
Në vetëm 10 ditë, me dy kontrata kompania serbe ka shkaktuar një dëm prej afro 2.6 milionë euro duke paguar vetëm 150 mijë euro për energjinë e blerë. Shkresa e Hodajt sugjeron që kompania serbe ka nisur fatura fiktive pagese pasi i është kërkuar nga Erideta Bashi informacion, por kjo e fundit së bashku me dy bashkëpunëtorë të saj, sipas Hodajt janë përgjegjës për mos ndërprerjen e menjëhershme të shitjes dhe verifikim të vonuar të situatës.
Një burim i mirëinformuar sqaroi Hashtag.alnë detaje mbi blerësin. “Kompania N4T është filial i firmës mëmë në Serbi LeTrading. Kjo firmë është themeluar nga Svetislav Bulatovic. Ata që operojnë në sektorin e energjisë e dinë mirë çfarë do të thotë ky emër, ai është ndoshta njeriu më i rëndësishëm i çështjeve të energjisë në rajonin tonë. Për shumë kohë ai ka qenë truri operacional i koorporatës EFT, e cila është dhe kompania sunduese në tregun e energjisë në Evropën Juglindore.
Shpesh për forcën e EFT-së është përfolur pronari i saj Vuk Hamoviç, por në fakt njeriu pas kuintave dhe truri që ideonte të gjitha ujditë më fitimprurëse është Svetislav Bulatovic. Pas skandalit që ka shkaktuar në Tiranë duke grabitur 2.6 milionë euro, ka të dhëna se kompania N4T ka nisur procedurat e falimentit.” – tha burimi.
Nga ana tjetër mësohet se ish-drejtoresha Erideta Bashi, njeriu më i besuar i Benet Becit në KESH, është larguar menjëherë nga vendi pas shkarkimit të saj nga puna. Disa të dhëna sugjerojnë se zonja mund të jetë larguar në drejtim të Kanadasë. /Hashtag.al/
Shënim i ShkodraWeb: Lidhur me shkrimin e mësipërm të publikuar nga Hashtag.al, pas një verifikimi të bërë, rezulton se z. Benet Beci, aktualisht deputet i PS- së së Qarkut Shkodër, ka dhënë dorëheqjen nga detyra e Administratorit të KESH sh.a. me datë 5 mars 2021, për shkak të përfshirjes në listën e kandidatëve për deputetë.