Policia ka nisur hetimet pas eksploziinit ne lagjen “Qafë Hardhi” në Shkodër, në orët e para të mëngjesit te djeshem, e konkretisht ne banesën e shtetasit Nikolin Arra, ish-basketbollist i Vllaznisë dhe po ashtu, ish-punonjës i Tatimeve në Shkodër.
Në momentin e eksplozionit, brenda shtëpisë nuk ndodhej asnjë prej anëtarëve të kësaj familjeje, sepse të gjithë momentalisht janë jashtë Shqipërisë, në Amerikë dhe Irlandë.
Ish-basketbollisti është në Shtetet e Bashkuara. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 2:30 të mëngjesit të datës 6 shkurt, ndërsa shpërthimi ka qenë i telekomanduar. Në vendngjarje janë gjetur disa copa të celularit që ka bërë të mundur shpërthimin. Sasia e eksplozivit, të paktën nga dëmi që ka shkaktuar, duket e konsiderueshme.
Banesa ka pësuar dëme relativisht të mëdha nga ky shpërthim i fuqishëm. Ajo lagje është e banuar nga shumë shtëpi, të cilat janë afër njëra tjetrës dhe shpërthimi ka shqetësuar ndjeshëm sepse pothuajse të gjithë e kanë dëgjuar.
Janë ende të paqarta arsyet e kësaj ngjarjeje të ndodhur, por ka dyshime se është një mesazh për ish-basketbollistin e Vllaznisë Arra, lidhur me kohën kur ai ka qenë punonjës i Tatimeve në Drejtorinë Rajonale në Shkodër.
Disa kohë më parë, Arra ka pasur edhe një proces gjyqësor, i dyshuar fillimisht për korrupsion, por pas afro një viti të gjyqeve ka marrë paf.a.jësinë, bashkë me inspektorët e tjerë që kanë qenë të dyshuar.
Policia ende nuk ka arritur që të identifikojë autorët e vendosjes së eksplozivit në këtë banesë. Ndërkohë, shumë afër vendit të ngjarjes është shtëpia e anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Vatë Staka.
Në fakt, ky i fundit, sipas Policisë nuk ka asnjë lidhje me këtë ngjarje sepse eksplozivi është vendosur në një banesë tjetër, por duke qenë se shtëpia e tij është afër me vendin ku ndodhi ngjarja, një patrullë policie ka qëndruar aty deri në orët e para të mëngjesit, kur ka dalë nga shtëpia për të shkuar në punë.