Eksportet arritën në 310 miliardë lekë për vitin 2018, sipas të dhënave të INSTAT, duke arritur në një nivel rekord, me një rritje prej 13.7% me bazë vjetore.
76% e eksporteve kishin si destinacion Bashkimin Europian (rreth 236 miliardë lekë), ku tregu kryesor është Italia, që priti 48% të totalit të eksporteve, ku peshën kryesore e zënë tekstilet dhe këpucët. 8.7% shkojnw nw Kosovw (27 miliardw lekw), qw pwrdor euron si monedhw zyrtare, duke e çuar nw total nw gati 85% peshwn e eksporteve nw monedhwn e pwrbashkwt.
Pikërisht bizneset që eksportojnë në vendet e Bashkimit Europian dhe Kosovë janë goditur nga zhvlerësimi i ndjeshëm i euros në 2018-s. Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, kursi mesatar i euros në 2018-n ishte 127.6 lekë, nga 134.1 lekë vitin e mëparshm, me një nënçmim prej 5%.
Nëse kursi i euros do të kishte qenë i qëndrueshëm, të ardhurat e sipërmarrjeve që eksportojnë në vendet e BE-së do të kishin qenë të paktën 5% më të larta (ose rreth 263 miliardë lekë). Në vlerë absolute, humbja e eksportuesve është rreth 13 miliardë lekë, apo rreth 105 milionë euro, sipas vlerësimeve të Monitor, bazuar në ecurinë e eksporteve të raportuar në lekë dhe kursit vjetor mesatar të këmbimit.
Humbja më e madhe i takon sektorit të tekstileve e këpucëve i cili ë rreth 40% të totalit të eksporteve dhe ka destinacion kryesor Italinë (e cila pret 80% të eksporteve të këpucëve dhe rreth 70% të tekstileve). Vlerësohet se për gjithë vitin, eksportuesit fason, që shitën mallra me vlerë 123.7 miliardë lekë, kanë humbur rreth 50 milionë euro, vetëm nga zhvlerësimi i monedhës së përbashkët. Eksportet e këtij grupi u rritën me 5.3% me bazë vjetore, ritmet më të ulëta që nga 2015-a.
Madje në dhjetor, eksportet e këtij grupi shënuan rënie me 5% me bazë vjetore, duke reflektuar efektin e zhvlerësimit të euros që në dhjetor zbriti në nivelet më të ulëta të dekadës, duke kaluar për pak ditë dhe nën 123 lekë. Florjan Zekja, përfaqësues i Shoqatës së Eksportuesve Fason, tha për “Monitor” se arsyeja kryesore është kursi i këmbimit. “Duke qenë se euro ka qenë shumë e nënçmuar, kemi pasur pasiguri për të ardhmen dhe kjo na ka vështirësuar lidhjen e kontratave të reja”. Ata e kanë të paqartë se si do të jetë e ardhmja, në momentin që kursi i këmbimit nuk është i stabilizuar.
Edhe më herët, eksportuesit e tekstileve e këpucëve ishin shprehur pesimistë lidhur me ecurinë e eksporteve në 2019-n, duke parashikuar rënie të tyre.