Si rezultat i bashkëpunimit të vazhdueshëm mes Interpol Tiranës dhe homologëve, për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, me qëllim ekstradimin e tyre në vendet ku ata duhet të vihen përpara përgjegjësisë penale, është ekstraduar në Shqipëri, një shtetas nga Shkodra, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafikim të lëndëve narkotike, konkretisht:
Si rezultat i bashkëpunimit me Interpol Wiesbaden, u ekstradua shtetasi Eltjon Dani, 31 vjeç, banues në Shkodër. Ky shtetas ka qenë i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me vendimin e datës 28.06.2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal.
Shtetasi Eltjon Dani akuzohet se gjatë periudhës janar 2018-dhjetor 2022, ka qenë pjesë e një grupi kriminal që trafikonte sasi të mëdhaja droge, në Danimarkë, Suedi, Norvegji, Holandë dhe Gjermani.