Një konflikt i nisur prej kohësh, madje një lidhje dhe një martesë e ngritur mbi konflikte të vazhdueshme që çuan deri në vrasjen e sotme, pak metra larg Gjykatës së Tiranës, ku do të luhej dhe akti final që ndoshta do t’i jepte fund një përplasjeje të vazhdueshme.
Mexhit Picari, ish-punonjës i policisë së burgjeve ka vrarë sot ish-dhëndrrin e tij Kudret Saliaj, ndërsa nga të shtënat ka mbetur i plagosur dhe avokati i viktimës Adriatik Cama.
Por çfarë kishte ndodhur me çiftin që ishin prindër të tre fëmijëve?
Prej 17 vitesh vitesh të martuar dhe prindër të tre fëmijëve, viktima Kudret Saliaj dhe Dhurata Picari Saliaj po i jepnin fund martesës së tyre, por duket se sherri për kujdestarinë e fëmijëve ka sjellë intriga dhe akuza që prodhuan dhe konfliktin. Historia e tyre është bërë publike në emisionin “Uniko”, ku janë drejtuar vetë familja Picari për të kërkuar ndihmë.
Konflikti mes çiftit ishte agravuar në tetor të vitit të kaluar, ku kishte pretendime për dhunë dhe tradhti. Gruaja 32-vjeçare ishte larguar me dhunë nga shtëpia e burrit, që e akuzonte për tradhti madje kishte përfunduar dhe në burg, e akuzuar nga vjehrra për dhunë.
Por palët kishin pretendime të kundërta. Familja e burrit pretendonte se nusja e shtëpisë, Dhurata Saliaj, është larguar me vullnetin e saj. Ndërsa kjo e fundit thotë se ishte vetë bashkëshorti që e dërgoi tek prindërit e saj. Gruaja dhurata, tregon se është dhunuar prej vitesh nga burri, por nuk e ka denoncuar asnjëherë deri në tetor. Rasti i fundit i dhunës ndaj saj ka qenë në shtator dhe ka ndodhur në prani të familjes së saj. Por sërish nuk kishte dneoncuar dhe vjehrra i kishte kërkuar ta falte.
Vjehrra e 32-vjeçares, mbesa e burrit të saj, madje edhe 2 fëmijët e saj, e akuzuan Dhurata Saliajn për tradhti bashkëshortore. Ata thonë se ka prova, ndërsa vetë Dhurata mohon çdo gjë të tillë dhe i konsideron sajesa e trillime.
“Më ka qëlluar dhe më ka nxjerrë gjuhën, përfundova në spital. Jam dhunuar nga nipi i burrit tim, nga djali im. Kur kam ardhur nga puna. Arsyeja është se pretendojnë se kam një lidhje jashtëmartesore. Mendojnë sikur më kanë kapur mesazhet. Janë disa mesazhe që i ka nxjerrë mbesa e burrit dhe ua ka dhënë të gjithëve. Telefonin tim e mbanin të gjithë. Mbesa e burrit kishte hapur adresa me emra të ndryshëm dhe hynte tek to, ndërkohë që thoshte se këto adresa ishin të miat”, ka treguar ajo.
Por konflikti brenda familjes u tensionua akoma më shumë. Ndaj Dhuratës u bë një denoncim në polici, ku akuzohej se kishte ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj fëmijëve të saj dhe mbesës së burrit, si dhe të kishte kërcënuar vjehrrën.
Pas këtij kallëzimi, Dhurata Saliaj u arrestua më datë 3 Tetor. Pasi u arrestua, Dhurata doli përpara Gjykatës së Tiranës dhe trupa gjykuese vendosi masën e sigurisë arrest shtëpie. Nga ajo kohë në Gjykatën e Tiranës vijonin seancat për divorcin dhe kujdestarinë e fëmijëve.