Ekzekutimi i ish-efektivit të Policisë Xhelal Reçi dy ditë më parë në Laç vijon të mbetet pa autor.
Përgjatë 24 orëve, Policia ka shoqëruar dhe marrë në pyetje mbi 20 persona të dyshuar që mund të kenë dijeni rreth krimit, si dhe familjarë e të afërm të viktimës, por dëshmitë e tyre nuk e kanë ndihmuar grupin hetimor për të shkuar në gjurmët e autorëve. Gjithashtu, Forcat Speciale të Policisë së Shtetit kanë ushtruar kontrolle në rreth 21 banesa në zonën e Kurbinit, por pa arritur të gjejnë atentatorët apo armën e krimit.
Pista kryesore e hetimeve është përqendruar te konfliktet e djalit të Xhelal Reçit, Besnikut, të cilit iu bë atentat me armë zjarri në gusht të vitit 2020, por fatmirësisht arriti të shpëtojë pa marrë lëndime. Konfliktet e tij po kalojnë në sitën e hetuesve me qëllim identifikimin e autorëve.
Pavarësisht se vrasja është filmuar nga kamerat e sigurisë të disa bizneseve, identifikimi i autorëve duket mjaft i vështirë, pasi ata kanë qenë me kapele e maska mjekësore anti-Covid. Pamjet e kamerave pritet të dërgohen për ekzaminim të specializuar jashtë vendit, me shpresë se mund të ndihmohet në identifikimin e autorëve. /Nga Elvis HILA/