Gjykata e shkallës së parë në Shkodër ka vendosur masën “arrest me burg” për shtetasin Daniel Pepaj, i dyshuar si autor i vrasjes së dyfishtë të Vilson Çutaj dhe Klement Pepaj. Ngjarja e rëndë ndodhi afro dy vite më parë në Vrith të Malësisë së Madhe. Pas më shumë se dy vitesh në arrati, pak ditë më parë 27 vjeçari u vetëdorëzua në policinë e Shkodrës. Pas ndalimit të tij, Daniel Pepaj u njoh me rikonfirmimin e masës së sigurisë “arrest me burg” dhënë nga gjykata e shkallës së parë. Gjatë kësaj seance mësohet se Daniel Pepaj nuk ka bërë asnjë deklaratë lidhur me vrasjen e ndodhur më 3 tetor të vitit 2020 duke mos dashur që të flasë momentalisht.
Autori i dyshuar i vrasjes së dyfishtë pritet që t’i bëjë deklaratat rreth ngjarjes së rëndë në seancat në vazhdim. Ndërkohë avokati mbrojtës Arbër Raja po ashtu nuk ka bërë asnjë deklarim rreth vrasjes së dyfishtë ndërsa gjatë seancës për rikonfirmim të masës së sigurisë kërkoi që Daniel Pepaj të lihej “arrest shtëpie” duke qenë se 27 vjeçari është vetëdorëzuar në polici.
Ndërkohë nga ana tjetër prokurori i çështjes Albert Murçaj kërkoi masën e sigurisë “arrest me b.urg”. Pasi dëgjoi palët gjyqtarja Izabela Radovani vendosi “arrest me b.urg” për 27 vjeçarin. Fillimisht dy viktimat Vilson Çutaj dhe Klement Pepaj rezultuan të zhdukur ndërsa pas kërkimeve për disa nga banorët dhe efektivët e policisë trupat e pajetë u gjetën në afërsi të një parcele me kanabis.
Disa ditë përpara ngjarjes së rëndë mësohet se Daniel Pepaj është goditur nga dy viktimat me pretendimin se i kishte vjedhur disa rrënjë kanabis. Pasi është goditur, sipas dyshimeve 27 vjeçari ka marrë një armë dhe ka qëlluar shtetasin Vilson Çutaj dhe Klement Pepaj duke i lënë të vdekur në vend. Më përpara sipas dyshimeve që ka policia autori i ka kërkuar një armë një banori të zonës por nuk ia ka dhënë.
Pasi i ka qëlluar dyshohet se Daniel Pepaj ka telefonuar të vëllanë duke i treguar vrasjen e dyfishtë. Po ashtu mendohet se menjëherë pas ngjarjes, Daniel Pepaj të jetë larguar drejt Malit të Zi e më pas është rikthyer duke u fshehur në malet e zonës ku banon derisa vendosi të vetëdorëzohet. Tashmë pritet që prokuroria të kërkojë dënimin e më pas gjykata të japë vendimin e saj.