Është rindërtuar skema e vrasjes së ish-policit, Gentjan Bejtja, prapa ekzekutimit të të cilit dyshohet se fshihet “miku” i Ervis Martinajt, Elio Hato. Sipas provave të mbledhura dhe dëshmitarëve, atentatorët kanë qenë 4 persona të cilët kanë lëvizur me një fuoristradë tip “Land Rover”.
Mësohet se ekzekutorët kanë ndjekur Genjtjan Bejtjan, i cili deri në orën 16.25 të pasdites së të premtes ka qenë tek banesa e prindërve, të cilët jetonin pranë tij dhe më pas është kthyer në vilën e tij.
Në këto momente, autorët kanë qëlluar me breshëri plumbash në drejtim të tij dhe për të shpëtuar, Gentjan Bejtjaj ka vrapuar drejt serës, tek dera e së cilës mbeti i vdekur.
Pas ekzekutimit të ish-policit, atentatorët janë laguar drejt Thumanës me automjetin tip Land Rover që u gjet i djegur në fshatin Hasan të Fushë-Krujës, së bashku me armët e krimit brenda.
Pak para se të ndodhte krimi, në zonë ishte ndërprerë energjia elektrike dhe për pasojë as kamerat e sigurisë nuk kanë funksionuar gjatë momenteve të atentatit.
Policia po heton disa pista, por ende nuk ka identifikuar autorët e krimit. Sipas gazetares Klodiana Lala, i dyshuar për këtë ngjarje është edhe Elion Hato, ku policia zhvilloi një operacion për arrestimin e tij ndaj atentatit mafioz të Gentjan Bejtjas.