E ka nisur futbollin në Sandsvall, qytetin e tij të lindjes në Suedi. Pas një karriere pa shumë bujë në fëmijëri, emri i Emil Forsberg tashmë do të shënjohet me germa të arta në vendlindjen e tij. 26-vjeçari, që aktualisht është pjesë e Bundesligës me Lajpcigun, ka shënuar një gol historik për Suedinë, e cila tashmë e gjen veten mes tetë skuadrave më të mira të Botërorit “Rusi 2018”.
Me disa çmime sezonale si mesfushori i vitit në Suedi, Forsberg u bë pjesë e Lajpcigut në janar 2015. Që në edicionin e tij të parë në Bundesliga 2 fiton çmimin si lojtari më i mirë. Goli i djeshëm me peshë në karrierën e tij do t’i shtohet atij që ka realizuar më 13 shtator 2017, kundër Monakos në fazën e grupeve.
“Jam pa fjalë, është ndjesi e jashtëzakonshme. Kemi bërë maksimumin dhe nuk i kemi lënë asnjë shans Zvicrës. Goli? Mund të them që isha me fat dhe që duhet të kisha goditur më fort, por ajo që ka rëndësi, është që topi u fut në rrjetë. Kualifikimi? Nuk di të them nëse ne e merituam apo nëse e meritoi Zvicra, por jemi në fazën tjetër dhe do të përpiqemi që të marrim maksimumin edhe në ndeshjen e radhës”, ka deklaruar Forsberg në fund të takimit, në të cilin është shpallur edhe lojtari i ndeshjes nga FIFA./panorama/