Elvis Plori është rikthyer në pozicionin më të rëndësishëm të administrimit teknik tek KF Vllaznia sh.a. Pasi u shpall kampion i Superligës me Vllaznia U- 21, ditën e sotme Elvis Plori është emëruar drejtor sportiv i klubit kuqeblu.
Bëhet fjalë për një rikthim në nivelet e larta të drejtimit të klubit shkodran nga Plori, i cili ka qenë edhe trajner, trajner i parë dhe drejtues teknik vitet e fundit tek Vllaznia e administruar nga Alban Xhaferi.
Rikthimi i Plorit mund të jetë fillimi i mbarimit të erës “Sedloski” tek Vllaznia. Pavarësisht se qëndroi fare pak javë tek Vllaznia, maqedonasi nuk arriti të sjellë asgjë të re apo ndryshim pozitiv të dukshëm. Kontrata një sezon e gjysmë, nuk duket ndonjë problem i madh për tu prishur mes palëve.
Nga ana tjetër, si tek çdo klub futbolli, drejtori sportiv ka dhe duhet të ketë një rol shumë të rëndësishëm në ndërtimin e ekipit, duke nisur që nga trajneri. Sedloski nuk është zgjedhje e propozim i Plorit.
Me shumë gjasa, ai nuk ka asnjë motiv të vazhdojë me maqedonasin, për sa kohë presidenti Xhaferi nuk vendos ta mbajë Sedloskin për këtë sezon. Nuk është e vështirë të kuptohet se nëse Plori do të ketë mundësi të propozojë, me shumë gjasa emri i gjermanit Brdariç është i pari në listën e preferencave të tij. Arsyet kuptohen lehtë.
Drejtori sportiv ka për detyrë ti propozojë bordit të Vllaznisë emrin e trajnerit të ri. Pasi emri diskutohet në këtë nivel, propozimi përfundimtar duhet të marrë miratimin e presidentit Alban Xhaferi.
Nuk është aspak çudi që pas Plorit, shumë shpejt ti bashkohet Vllaznisë së këtij sezoni edhe Thomas Brdariç, për ta vijuar punën aty ku e lanë. Për hir të realitetit, pasardhësit në pankinë e drejtim teknik, nuk është se bënë më mirë për klubin kuqeblu. Problemi i vetëm duket…bindja e Brdariç për tu rikthyer në Shkodër, aq më shumë kur Djarmati nuk mund të jetë më drejtor sportiv por ka akoma pozicionin e zëvendëstrajnerit. /ShkodraWeb/