Gruaja e pajetë, e cila u gjet e hedhur në një kanal, gjysmë e zhveshur dhe e mbuluar me gjethe e rrozga, konfirmohet që është vrarë nga një komshi i saj, banor i fshatit Kozare. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e djeshme në lagjen “Havaleas” të fshatit Kozare, në qytetin e Kuçovës.
Familjarët e saj e kishin kërkuar prej disa orësh dhe pasi nuk po e gjenin kishin njoftuar për ndihmë policinë. Vetëm pas rreth 1-orë kërkimesh, gruaja 63-vjeçe u gjet në një kanal, rreth 1 km larg banesës saj. Në momentin e gjetjes së trupit të pajetë, gruaja ishte e zhveshur nga mesi e poshtë dhe e mbuluar me gjethe e rrozga domatesh brenda në kanal. Viktima Fatime Suli u transportua gjatë natës drejt Morgut të Spitalit Rajonal Berat, ku pas kryerjes së autopsisë mjeko-ligjore, rezultoi se shkaku i vdekjes së 63-vjeçares ishte asfiksimi nga mbytja me duar.
Konfirmimi i vrasjes së gruas vuri në lëvizje policinë e Beratit,për të identifikuar dhe arrestuar autorin e kësaj ngjarjeje të rëndë.Pas pyetjes së dëshmitarëve në vendngjarje si dhe vëzhgimit të disa kamerave në bizneset përreth, u bë i mundur arrestimi i autorit të vrasjes, 58-vjeçarit Fetah Marra që rezulton të jetë komshiu i viktimës.
I arrestuari është duke dhënë dëshminë e tij në polici, ndërkohë që burime të brendshme policore konfirmojnë se vrasja ka ndodhur pas një konflikti për disa para borxh, që komshiu i kishte familjes së gruas.