Katër shqiptarë janë mes viktimave të aksidentit tragjik hekurudhor në Greqi, që u mori jetën 57 personave. Lajmi është bërë me dije nga Ministria e Jashtme, ndërsa viktimat janë identifikuar si Ifigjenia Micka, Pavlin Bozo, Joanis Xhollas dhe Klaudia Lato.
Po ashtu, Ministria bën me dije se pritet përgjigja e ADN edhe për një tjetër shtetas shqiptar të deklaruar “i zhdukur” nga familja dhe policia greke.
“Pas komunikimit me autoritetet greke, MEPJ bën me dije se në radhët e viktimave të aksidentit tragjik hekurudhor në Larisa konfirmohen deri më tani katër shtetas shqiptarë dhe me origjinë shqiptare: Ifigjenia Micka, Pavlin Bozo, Joanis Xhollas, Klaudia Lato. Pritet përgjigja e ADN për një tjetër shtetas shqiptar të deklaruar “i zhdukur” nga familja dhe policia greke. MEPJ i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve të viktimave dhe uron shërim të shpejtë të gjithë të plagosurve”, thuhet në njoftim.
Ngjarja e rëndë ndodhi pak para mesnatës së të martës (28 shkurt), ku një tren pasagjerësh që transportonte 350 persona u përplas me një tren mallrash pasi të dy përfunduan në të njëjtën linjë, duke bërë që vagonët e përparmë të shpërthejnë në flakë.
Një përgjegjës stacioni 59-vjeçar në Larisa është akuzuar për vrasje nga pakujdesia. Ai ka mohuar akuzat, duke deklaruar se shkak për përplasjen u bë një defekt teknik.
Ministri i transportit i vendit ka dhënë dorëheqjen për incidentin, duke thënë se ai do të marrë përgjegjësinë për “dështimet e gjata” të autoriteteve për të rregulluar një sistem hekurudhor që nuk ishte i përshtatshëm për shekullin e 21-të. Ndërkohë, qeveria greke ka deklaruar se do të kryhet një hetim të pavarur që premton se do të japë drejtësi.