Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar mësohet se ka lëshuar pesëmbëdhjetë mas sigurie në lidhje me hetimin për korrupsion, pastrim parash dhe abuzim me detyrën për koncesionin e incineratorit të Tiranës. Hetimi duket se ka mbërritur në dyert e Bashkisë Tiranë me urdhërarrestin për drejtorin Taulant Tusha.
Një vendim i Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar lëshoi pesëmbëdhjetë masa sigurie për zyrtarë dhe biznesmenë, në lidhje me hetimin për skandalin e incineratorit të Tiranës, përfshirë zyrtarët që dhanë koncesionin kontrovers. Disa zyrtarë, sakaq në burg për vepra penale në lidhje me dy incineratorët e tjerë, në Elbasan dhe në Fier, morën masë shtesë sigurie ndërsa biznesmenët Mirel Mërtiri e Klodian Zoto, të cilët janë aktualisht në arrati, u pajisën me një masë tjetër sigurie “arrest me burg”. .
Taulant Tusha, drejtor i Shërbimeve Publike në Bashkinë Tiranë dhe njëkohësisht, anëtar i Këshillit Drejtues të UKT, mori masën e sigurisë arrest me burg. Masa të tilla sigurie u lëshuan edhe për Lefter Kokën, Alqi Bllakon, Mirel Mërtirin, Klodian Zoton, Erjon Muratajn, Bledar Karolin, Namik Simixhiun, dhe Jetmir Llapajn.
Në masë sigurie arrest shtëpie u lanë Alba Thoma, Valbona Ballgjini, Sidita Kopliku, Pëllumb Abeshi, Etleva Kondi, Sidita Tola.
Operacioni policor për ekzekutimin e masave të sigurisë është ende në zhvillim në kohën e publikimit të këtij lajmi. Deri më tani nuk është e sigurt se cilat masa sigurie janë ekzekutuar dhe cilat, jo.
EMRAT:
Lefter Koka- arrest në burg
Alqi Bllako- arrest në burg
Pëllumb Abeshi- arrest në burg
Mirel Mërtiri- arrest në burg
Klodian Zoto- arrest në burg
Erjon Murataj- arrest në burg
Bledar Karoli- arrest në burg
Alba Thoma- arrest shtëpie
Valbona Ballgjini- arrest shtëpie
Taulant Tusha- arrest në burg
Namik Simixhiu- arrest në burg
Sidita Kopliku- arrest shtëpie
Jetmir Llapaj- arrest në burg
Sidita Tola- arrest shtëpie