Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në mesnatë në Gjirokastër. Një automjet i OSHEE është rrëzuar në lumin Drino përballë fshatit Lazarat. Report TV raporton se në bordin e automjetit kanë qenë dy punonjës të OSHEE në rajonin Gjirokastër të cilët ishin duke inspektuar zonën lindore të luginës pasi kishte avari në linjat e përcjelljes së rrymës elektrike. Dy elektriçistët nuk kanë mundur dot të dalin, ndërsa vijon puna për nxjerrjen e trupave.
Avaria është konstatuar në fshatin “Asim Zenel, kësisoj kanë shkuar për të ndërhyrë dy elektriçistët Selfo Kallfa dhe Ismet Isaraj. Si pasojë e terrenit të keq dhe errësirës, mjeti me të cilin lëviznin dy punonjësit e OSHEE, ka rënë në kontakt me një rrugë të deformuar pranë bregut të lumit dhe e kanë pasur të pamundur për të manovruar mjetin.
Ky i fundit ka rënë në rrjedhën e lumit në thellësi ndërkohë që dy elektriçistët nuk kanë mundur dot të dalin. Menjëherë në vendngjarje ka shkuar policia e Gjirokastrës së bashku me PMNZSH për të ndërhyrë. Mirëpo për shkak të thellësisë dhe motit të acartë, autoritetet vendore policore kanë kërkuar nga kryeqyteti polumbarë për të nxjerrë automjetin dhe dy elektriçistët të cilët besohet se gjenden të pajetë.
Situata po monitorohet deri në nxjerrjen nga thellësia të trupave dhe automjetit të OSHEE nga kryebashkiaku i Gjirokastrës Flamur Golemi, prefekti Odise Kote dhe drejtori i Policisë së Gjirokastrës Fatmir Hoxha.