Tetë shtetas shqiptarë, 3 prej tyre në Shqipëri dhe 5 në Belgjikë janë arrestuar në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “Pikaso”, anëtarë të një grupi kriminal në fushën e vjedhjeve. Disa prej tyre rezultojnë me nga 2 apo 3 emra. Policia thotë se banda nuk kishte vetëm kaq anëtarë, ndaj edhe po vazhdon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të dyshuar.
Gjatë operacionit janë sekuestruar një sasi e konsiderueshme sendesh në cilësinë e provave materiale si: bizhuteri, orë të shtrenjta, aparate telefonash celularë, aparatura elektronike.
Në zbatim të Letër-porosisë dërguar nga autoritetet ligjzbatuese belge në datat 28 dhe 29 mars 2018, në Shqipëri u ndaluan shtetasit:
• Imir Vila, 37 vjeç, lindur në Zboq, Korçë dhe banues në Tiranë.
• Alerjo Dushku, 31 vjeç, lindur në Adriatik, Kurbin dhe banues në Tiranë,
• Albert Arraj, 22 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Dukagjin i Ri, Krujë.
Të ndaluarit dyshohen për kryerjen e veprave penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, “Vjedhja” e kryer në kuadrin e “Grupit të strukturuar kriminal”.
Gjatë kontrolleve të banesave të tyre janë gjetur dhe sekuestruar sende që dyshohet se janë vjedhur në Belgjikë.
Në të njëjtën kohë me operacionin e zhvilluar nga Policia shqiptare, operacioni i përbashkët ka vijuar në Belgjikë ku autoritetet arrestuan në Bruksel shtetasit shqiptarë:
• Arbër Llulla (alias: Rubens Ahmetaj, Rubens Bulku), 32 vjeç, nga Tirana;
• Deiv Bulku, 25 vjeç, nga Tirana;
• Ardit Skeja, 24 vjeç, lindur në Kurbin, banues në Mëzez, Tiranë;
• Agron Hyseni (alias Astrit Hyseni), 47 vjeç, nga Laçi;
• Flori Saliu (alias Shikim Matranxhi), 26 vjeç, nga Vora, Tiranë.
Nga hetimet e kryera rezulton se këta shtetas, veprimtarinë kriminale e kanë kryer si grup i strukturuar kriminal.
Veprimtaria e tyre ishte e shtrirë kryesisht në Bruksel dhe në disa qytete të tjera belge. Ata kanë kryer një numër të madh vjedhjesh me dhunë të banesave dhe objekteve të tjera. Sendet e vjedhura, një pjesë i kanë shitur, ndërsa pjesën tjetër dhe shumat e parave të përfituara nga shitja e i kanë transferuar në Shqipëri.