Këshilli i Lartë i Prokurorisë mbylli dje garën për Kryeprokuror dhe katër kandidaturat zyrtare janë Olsian Çela, Arta Marku, Fatjona Memçaj dhe avokati Lulzim Alushaj. Tashmë Këshilli do të fillojë nga vlerësimi paraprak i kandidatëve, ndërsa për të caktuar listën përfundimtare dhe të nisë seancat dëgjimore me kandidatët, do të duhet të presë përfundimin e procedurës së rivlerësimit për prokurorin Olsian Çela.
“Brenda 45 ditëve nga përfundimi i afatit të dorëzimit të shprehjeve të interesit, Këshilli kryen vlerësimin paraprak, me qëllim verifikimin e plotësimit të kushteve ligjore, të përcaktuara në nenin 4 të kësaj rregulloreje. Këshilli pret përfundimin e procedurave të rivlerësimit për kandidatët që i nënshtrohen këtij procesi deri në konfirmimin e tyre. Nëse është e nevojshme, Këshilli kërkon informacione të mëtejshme prej kandidatit, institucioneve publike apo punëdhënësit të kandidatit, sipas parashikimeve ligjore të neneve 30 dhe 31, të ligjit për Prokurorinë”, parashikohet në rregullore.
Sipas rregullores së miratuar nga KLP-ja, një prokuror për të qenë në krye të Prokurorisë së Përgjithshme duhet që të ketë 15 vjet përvojë pune si jurist i spikatur. Të jetë diplomuar në Shkollën e Magjistraturës ose të ketë gradë shkencore në drejtësi. Të mos ketë mbushur moshën e daljes në pension. Të mos ketë mbajtur gjatë 10 viteve të fundit, para dorëzimit të shprehjes së interesit për Prokuror të Përgjithshëm, funksione politike në administratën publike.
Të mos ketë mbajtur gjatë 10 viteve të fundit pozicione drejtuese në partitë politike. Të mos ketë qenë anëtar, bashkëpunëtor ose i favorizuar i ish-Sigurimit të Shtetit. Të mos ketë qenë dënuar më parë me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale. Të mos ketë qenë bashkëpunëtor, informator ose agjent i Shërbimeve të Inteligjencës dhe të mos ketë masë disiplinore në fuqi.
KANDIDATËT
Prokurorja Arta Marku ka mbaruar studimet e larta dhe Magjistraturën në Universitetin e Tiranës. Ajo ka qenë pjesë e një sërë trajnimesh për sistemin e drejtësisë në Amerikë dhe Europë. Pasi ka kryer stazhin për 2 vjet në Prokurorinë e Fierit, ka ushtruar funksionin si prokurore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër për 15 vite. Për 7 vjet ka qenë drejtuese e Njësisë së Përbashkët Hetimore për Krimin Ekonomik dhe Korrupsionin në Prokurorinë e Rrethit Shkodër, si dhe zëvendësdrejtuese e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër. Fatjona Memçaj, aktualisht prokurore në Prokurorinë e Apelit Tiranë, në vitin 2003 mbante postin e prokurores së Rrethit në Tiranë.
Në vitin 2007, Memçaj ka punuar si drejtoreshë e Koordinimit Ligjor në Presidencë, detyrë të cilën e ka mbajtur deri në fund të vitit 2012. Më pas, Memçaj është emëruar drejtore kabineti në Prokurorinë e Përgjithshme dhe prej vitit 2013, mban pozicionin e prokurores së Apelit në Tiranë. Gjithashtu, Memçaj është përfshirë edhe në mësimdhënie. Lulzim Alushaj është jurist në një kompani private.
Fillimisht është diplomuar për Drejtësi nga Universiteti i Bolonjës (Alma Mater Studiorum), më tej mori kualifikimin për të ushtruar profesionin e jurisprudencës në Shqipëri (Dhoma Kombëtare e Avokatisë) dhe në Itali (Consiglio Nazionale). Lulzim Alushaj rezulton i vetmi që ka mbaruar doktoratën në një vend të Bashkimit Europian, në radhët e sistemit të drejtësisë.
Më herët, drejtues i Prokurorisë për Krime të Rënda dhe aktualisht prokuror të në këtë Prokurori, Olsian Çela, ishte kandidatura e parë e dorëzuar pranë KLP-së. Prokurori Olsian Çela ka punuar në Prokurorinë e Tiranës, pasi përfundoi Magjistraturën në vitet 1998-1999. Gjithashtu, ka kryer edhe një sërë trajnimesh dhe specializimesh brenda dhe jashtë Shqipërisë për hetimin e trafiqeve të paligjshme dhe krimit të organizuar.