Ditën e sotme gazeta gjermane “Bild” ka publikuar 6 audio-përgjime të reja të zhvilluara në linjë telefonike të bëra në vitin 2017, ku përfshihet në bisedë me Astrit Avdylajn, koka e grupit kr.iminal “Avdylaj” në Shijak, kryetari i Bashkisë Durrës, Vangjush Dako si dhe disa zyrtarë të tjerë të PS, në këtë qytet.
Në këto përgjime përmenden dhe komunikohet me disa persona, ku Avdylaj ndërhynë për të marrë vota për PS, por edhe për të propozuar emrin e një personi të afërt me të, për kandidat për deputet, e po ashtu ka kërkuar dhe anulimin e një gjobe prej 5 milionë lekësh…
Por kush janë emrat e zyrtarëve që përmenden në këto përgjime?!
Një prej personave që ka komunikuar me Avdylajn, dhe që del nga këto përgjime, është Ivo Doçi, i cili është përgjegjësi i repartit të Shijakut që varet nga UKD. Elton Arbana është një tjetër emër, i cili është kandidat për kryetar Bashkie në Shijak. Ilir Ndraxhi, deputet i PS, ndërsa Arjan Ndraxhi është vëllai i tij.
Ardian Kokomani është aktualisht kryetar Bashkie në Shijak. Ani Dyrmishi asokohe ka mbajtur postin e Drejtorit të Hipotekës, ndërsa aktualisht është drejtor i Përgjithshëm i hekurudhave shqiptare.
Ndërkohë, një tjetër emër që përmendet në këto përgjime të dy viteve më parë, është Vath Alla, një qytetar nga Ishmi që pretendon një tokë në bregdetin e Kepit të Rodonit, dhe mik i afërt me Avdylajt.