Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Prishtinë mbrëmjen e së mërkurës (29 Nëntor). Raportohet se dhëndri ka masakruar me thikë vjehrrin e tij pas një mosmarrëveshje mes tyre. Krimi ka ndodhur rreth orës 21:30 në rrugën Ali Vitia, ku Edon Bujupi dyshohet se qëlloi me thikë vjehrrin, 52-vjeçarin, Ali Kosova.
Ky i fundit u dërgua në spital por nuk arriti që t’i mbijetojë plagëve të marra. Edon Bujupi është arratisur nga vendi i ngjarjes dhe është shpallur në kërkim nga policia.
“Rr. Ali Vitia, Prishtinë 29.11.2023 – 21:30. Dyshohet se pas një mosmarrëveshje, i dyshuari mashkull kosovar ka sulmuar-therur me thikë babanë e bashkëshortes së tij (vjehrrin), viktimën mashkull kosovar i cili duke mos u përballuar plagëve të marra ka ndërruar jetë në QKUK, vdekjen e të cilit e ka konfirmuar mjeku.
I dyshuari gjendet në arrati, ndërsa me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në njoiftimin e policisë.
Sipas gazetës Sinjali, autori pak ditë më parë ishte raportuar i zhdukur dhe Policia kishte nisur hetimet për gjetjen e tij.
Bashkëshortja e tij, A.Kosova, më 24 nëntor kishte kërkuar ndihmën e Policisë, duke thënë se Edoni një natë më parë ka dalë nga shtëpia dhe nuk ka asnjë informacion për të.
Mbrëmjen e 26 nëntorit, Edoni ishte paraqitur në stacion policor, ku është parë në gjendje të mirë shëndetësore dhe ka deklaruar se gjatë kohës që ishte raportuar i zhdukur, ka qëndruar në Prizren për qejf.