Një grabitje me dhunë ka ndodhur mbrëmjen e kaluar në Lezhë. Mësohet se gjatë natës në fshatin Spiten, persona të paidentifikuar, kanë hyrë në banesën e shtetasit Gjergj Doçi për të vjedhur. Pasi janë hasur në rezistencë, grabitësit kanë dhunuar kryefamiljarin dhe bashkëshorten e tij shtetasen Vitore Doçi, 47-vjeçe.
Policia njofton se janë grabitur një sasi lekësh dhe 2 aparate celularë. Në vendngjarje janë fiksuar prova materiale të lëna nga autorët, të cilat do të shërbejnë për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e kapjen e autorëve.
Gjithashtu, janë shoqëruar në Komisariat disa persona që dyshohet të kenë dijeni për ngjarjen.
Janë ngritur pika kontrolli në hyrje-dalje të qytetit dhe po vijon krehja e zonës, me qëllim kapjen e autorëve.