Ora 00.00 e datës 8 mars 2021, shënon afatin e fundit për depozitimin e listave të kandidatëve për deputetë nga partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhjet e 25 prillit 2021. Subjektet politike janë përfshirë në hartimin e këtyre listave, kur mungojnë tashmë 4 ditë nga skadimi i afatit.
Burime jo zyrtare por të besueshme pranë selisë rozë në Tiranë, bëjnë me dije se tashmë është konturuar lista përfundimtare e disa qarqeve, mes tyre edhe e qarkut të Shkodrës. Lajmi, i bërë publik nga ShkodraWeb Media para disa ditëve është: Ilir Beqaj nuk do të jetë i pari në listën e kandidatëve për deputetë!
Benet Beci, administrator i KESH sh.a., do të jetë kryesues i listës së kandidatëve për qarkun e Shkodrës. Menjëherë pas tij, do të jetë Paulin Sterkaj, deputet aktual, përfaqësues i Malësisë së Madhe. Deri para disa ditëve, u përfol një tërheqje e mundshme për shkak të gjendjes shendetësore, por tashmë duket se ish- mundësi do të jetë sërish pjesë e listës së Shkodrës.
Emri i tretë në listë do të jetë Majlinda Angoni, prefektja aktuale e Shkodrës, hyrje e muajve të fundit në listën e kandidatëve për deputetë. Ilir Beqaj do të jetë i katërti, si një “garanci” që PS të mos bjerë nën rezultatin e 2017- ës, kur mori katër deputetë në Shkodër. Menjëherë pas tij, do të jetë Luan Harusha, deputet aktual, i rreshtuar i pesti në listë e PS- së. Në vendin e gjashtë, surpriza ka emrin Jona Leqejza, e cila mbase mund të këmbejë vendet me deputetin Harusha. Ky i fundit, duket se po reflekton për të pranuar ose jo vendin e pestë. Mësohet se të gjithë këto persona, tashmë janë kontaktuar për tu vënë në dijeni paraprakisht dhe për të plotësuar dokumentacionin e nevojshëm për këtë rast.
Pjesa tjetër e listës, e cila është shumë larg pretendimeve për mandate, do të plotësohet me emra publike, duke patur parasysh shpërndarjen gjeografike sipas bashkive të qarkut. Pavarësisht se i kanë shanset zero për mandat deputeti, nëse PS merr mandat me 25 prill, do të jenë në vëmendje për pozicione të rëndësishme në nivele të nryshme të qeverisjes, sigurisht poshtë rangut të ministrit. /ShkodraWeb Media/
PËR KOHË E LIRË, ARGËTIMIN TUAJ, MBI 6 ORË HUMOR I ZGJEDHUR PËR KËNAQËSINË TUAJ! JEPI “PLAY” DHE SHIJO!