Një konflikt, i cili nuk dihet se për çfarë ka nisur, ka precipituar me përdorimin e armës në Tropojë, atje ku rreth orës 13:40 ka mbetur viktimë 43-vjeçari, Artur Dauti.
Bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur në fshatin Dojan, ku dyshohet se Flordian Mulaj rreth 35 vjeç, për motive të dobëta, ka qëlluar me armë zjarri pistoletë, Artur Dautin, rreth 43 vjeç, i cili për pasojë ka ndërruar jetë.
Mësohet se mes autorit dhe viktimës nuk ka pasur probleme të mëparshme, teksa dyshohet se kanë qenë nën ndikimin e alkoolit. Deri më tani motivi i krimit mbetet mister.
Tropojë/Informacion paraprak
Rreth orës 13:40, në një lokal në fshatin Dojan, dyshohet se shtetasi F. M., rreth 35 vjeç, për motive të dobëta, ka qëlluar me armë zjarri shtetasin A. D., rreth 43 vjeç, i cili për pasojë ka ndërruar jetë.
Në drejtim të Tropojës janë nisur forcat operacionale të DVP Kukës, specialistët e Hetimit të Krimeve, dhe dy grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë Njësia Shkodër, për lokalizimin dhe kapjen e autorit.
Ndërkohë, grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti, si dhe shoqërimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.