Këshilli Bashkiak i Shkodrës pritet të ketë së shpejti 2 anëtarë të rinj. Sipas njoftimit zyrtar, në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, në pikat 4 dhe 5 të rendit të ditës, është paralajmëruar shqyrtimi dhe miratimi i projektvendimeve “Për mbarimin para kohe të mandatit të këshilltarit bashkiak” për këshilltarët bashkiakë Gjovalin Darragjati dhe Helga Saraçi.
Dy këshilltarët kanë dorëzuar mandatin e këshilltarit për arsye personale, dhe duhet të zëvendësohen nga lista shumë emërore e paraqitur në KQZ nga PD- ja e Alibeaj për zgjedhjet e 14 maj 2023.
Sipas kësaj liste, në Këshillin Bashkiak të Shkodrës, do të futen Anita Amuli dhe Fatmir Vojvoda. Ky i fundit, mban pozicionin e drejtorit të Qendrës së Zhvillimit, ku u emërua rreth 5 muaj më parë. Si një institucion në varësi të Bashkisë Shkodër, duhet parë nëse ka konflikt në marrjen e mandatit të këshilltarit dhe nëse Vojvoda do të japë dorëheqjen, nëse ka konflikt interesi me vendin e punës aktualisht. Nëse ai refuzon, mandati i kalon emrit vijues, Steisi Çokaj.
Në të gjitha rastet, për zëvendësimin e këshilltarëve të dorëhequr, do të aktivizohet KQZ-ja sipas procedurave tashmë të njohura ligjore.