Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku duket i vendosur për t’i dhënë një frymë të re Policisë së Shtetit, ku me ardhjen në krye të saj ka paralajmëruar se do të luftojë me zero tolerancë krimin e organizuar dhe korrupsionin në radhët e uniformave blu. Pas disa pezullimesh dhe shkarkimesh që ka ndodhur në radhët e drejtuesve të policisë për ndërtimet pa lejë, reforma është shtrirë në radhët e komisariateve të Policisë së Tiranës, ndryshime këto që pritet të zyrtarizohen në ditët në vijim.
Kështu, mësohet se kryekomisar Petrit Hala nga shef i Komisariatit numër 4 në kryeqytet ka shkuar drejtues i Komisariatit Numër 1 në Tiranë. Mësohet se zoti Hala ka zëvendësuar në këtë post Bujar Mehmeti, i cili u pezullua nga detyra për shkak të skandalit me ndërtimet pa lejë. Ndërkohë mësohet se në vendin e zotit Hala, në krye të Komisariatit Numër 4 të Tiranës, është emëruar kryekomisar Luan Hysenaj. Ky i fundit më herë ka qenë Drejtor i Drejtorisë së Kufirit Vlorë dhe Shef Sektori në Drejtorinë për Kufirin dhe Migracionin Tiranë. Megjithatë, burime pranë Policisë së Shtetit thanë se ndryshime do të ketë edhe në komisariate të tjera të Policisë në Tiranë.
Furtunë në Policinë e Tiranës
Kujtojmë se ish-shefi i Komisariatit nr.1 në Tiranë, Bujar Mehmeti, u pezullua pak ditë më parë nga detyra për shkak të ndërtimeve pa leje. Bashkë me kryekomisarin, është pezulluar nga detyra edhe shefi i Postës policore në Farkë, Flamur Sula. Me përgjegjësi duket se janë gjetur edhe nënkomisar Alban Ramaj dhe inspektori Nazmi Karreçi. Burime bënë me dije se pezullimi i 4 efektivëve është bërë nga Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit. Ecuria disiplinore për zyrtarët policorë nisi pas zbulimit të pallatit 8 katësh pa leje në zonën e Liqenit të Thatë, në pronësi të biznesmenit Julian Morina.
Rrumbullaku mesazh vartësve të tij
Më herët drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku gjatë një takimi që ka pasur me vartësit e tij, theksin e ka vënë tek dalja në terren dhe shmangia e favoreve dhe ndereve. Rrumbullaku theksoi se ai i pari nuk ka për t`i rënë telefonit të askujt për të favorizuar dikë apo mos penalizuar dikë. “Jam i vendosur për ta ndryshuar vizionin, me qëllim vendosjen e një standardi të ri në raport me qasjen ndaj komunitetit dhe luftën ndaj krimit dhe jo të ndryshoj emra. Dua drejtorë që të mos komandojnë nga zyra, por të jenë në terren, për të kontrolluar, drejtuar dhe menaxhuar veprimtarinë e strukturave policore. Disiplina në punë dhe performanca në komunitet janë faktorë të rëndësishëm për një organizatë që prodhon rend dhe siguri. Mos toleroni dhe mos ndikoni te strukturat, për të ndihmuar askënd që është në shkelje të ligjit. Unë si Drejtor i Përgjithshëm nuk do t’ju telefonoj asnjëherë për të ndihmuar apo toleruar njeri, ndaj kërkoj me vendosmëri që të zbatoni ligjin dhe të mbroni e të ndihmoni strukturat kur ato zbatojnë ligjin me këdo”, deklaroi Rrumbullaku.