Një shqiptare u gjet e vrarë në banesën e saj në Scaldasole, një fshat në provincën e Pavias. Viktima quhet Anila Ruci. Siç raportojnë mediat italiane, 38-vjeçarja u vra me thikë në fyt.
Ajo jetonte prej rreth një viti banesën ku u gjet e vdekur. Me të jetonte edhe Osman Bilyhu, një i ri, të cilin gruaja ia kishte prezantuar fqinjëve dhe miqve si vëllain e vet. Edhe ai ka mbetur i plagosur, por është dërguar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Deri tani rrethanat e kësaj ngjarje janë misterioze.
Alarmin për ngjarjen fillimisht e ngriti estetistja e Rucit, pasi kjo e fundit kishte lënë një takim në dyqan rreth orës 16:45. I dërgova një mesazh sepse kishte humbur edhe takimin e parë, duke e pyetur nëse donte të vinte edhe me gjysmë ore vonesë. Nuk mu përgjigj, nuk pa as mesazhin”, tha Marika Fama, drejtuesja e qendrës estetike.
Estetistja ka treguar se Ruci kishte shkuar të banonte aty në muajin Qershor.
“Ndërsa vëllai u bashkua me të në Tetor, pas verës. Por ai nuk flet italisht. E shikoja vetëm kur dilte nga shtëpia dhe ecte për të shkuar në lokal. Nuk e di nëse punonte”, ka treguar Fama.
Ajo ka treguar më tej se pasi Anila nuk i ka kthyer përgjigje ka shkuar në lokal për një kafe. Aty ka parë të vëllanë e viktimës i cili ishte zvarritur deri në ambientin e jashtëm dhe kërkonte ndihmë nga bashkatdhetarët e tij.
“Pashë të vëllain e saj, i cili kërkonte bashkatdhetarë pasi nuk di italisht, për të kërkuar ndihmë, por nuk e kuptova se çfarë po ndodhte dhe u ktheva në dyqan. Pastaj pashë ambulancën e ardhur të cilët morën vëllain ndërsa para apartamentit vendosën shirita”, tha ajo. Ai kishte veshur një këmishë gri, por nuk pashë asnjë shenjë të kuqe. Nuk di vërtetë se çfarë mund të ketë ndodhur”, tha ajo.