Si rezultat i një hetimi të ndjekur me metoda proaktive, për 2 vjet, në bashkëpunim me SPAK dhe me Prokurorinë e Shkodrës, Departamenti i Policisë Kriminale i DPPSH dhe Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër finalizuan operacionin policor të koduar “OBLIKA”.
Ekzekutohen 12 masa sigurie: “Arrest në burg” për 10 shtetas dhe “Arrest në shtëpi” për 2 shtetas, të cilët akuzohen se në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, kanë kultivuar dhe prodhuar cannabis sativa, në disa fshatra të Shkodrës.
Gjatë periudhës hetimore, grupit i janë sekuestruar 246 kilogramë cannabis në proces tharjeje dhe i janë asgjësuar 32 000 bimë cannabisi.
Në kuadër të një hetimi të iniciuar në vitin 2022, në Prokurorinë e Shkodrës dhe të ndjekur proaktivisht nga SPAK, Departamenti i Policisë Kriminale i DPPSH, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, finalizoi operacionin policor të koduar “OBLIKA”. Gjatë operacionit u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg”, caktuar nga SPAK, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, për shtetasit:
-Arben Uruçi., 50 vjeç, banues në Shkodër;
-Ardian Tahiri, 30 vjeç, banues në Koplik;
-Hekuran Myrtja, 45 vjeç, banues në Shkodër;
-Samet Dajati, 36 vjeç, banues në Shkodër;
-Izmir Dahati, 28 vjeç, banes në Shkodër,
-Besar Lejthiza, 23 vjeç, banues në Shkodër;
-Ermis Sela, 22 vjeç, banues në Shkodër;
-Afrim Dahati, 23 vjeç, banues në Shkodër;
-Arian Popa, 23 vjeç, banues në Shkodër;
-Daniela Hasani, 44 vjeçe, banuese në Tiranë.
Gjithashtu, u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”, caktuar nga SPAK, për të njëjtat vepra penale, për shtetasit Pjetër Gjoni, 50 vjeç dhe Roland Gjoni, 50 vjeç, të dy banues në Shkodër.
Këta 12 shtetas akuzohen se të organizuar si grup i strukturuar, janë implikuar në veprimtaritë kriminale të kultivimit dhe prodhimit të cannabis sativës, në fshatra të ndryshme të Shkodrës, kryesisht në njësinë administrative Oblikë. Gjatë hetimeve të kryera për të dokumentuar veprimtaritë kriminale të këtyre shtetasve, janë sekuestruar 246 kilogramë cannabis në proces tharjeje dhe janë asgjësuar 32 000 bimë cannabisi.