Partia Demokratike, dega Shkodër, është tashmë në prag të zgjedhjeve për kryetarin e vet. Siç dihet, kryetari Gjenarin Kapcari, ka paraqitur dorëheqjen pak pas zgjedhjeve të 14 majit 2023, e cila pas disa hezitimeve, është pranuar nga strukturat drejtuese në qendër.
Në takimet e zhvilluara nën drejtimin e të deleguarit politik për qarkun Shkodër, Luçiano Boçi, sipas burimeve të cilave u referohet ShkodraWeb, ishte përcaktuar si afat fundi i muajit tetor për kulmimin e zgjedhjes së drejtuesit të ri vendor demokrat. Mesa duket, zhvillimet e javëve të fundit, kanë sjellë që ky afat të mosrespektohet.
Gjithsesi, shumë individë që e shohin veten në garë, kanë nisur të aktivizohen në takime me antarësinë apo edhe me individë që mendohet se kanë peshë një një garë të mundshme zgjedhore të shpejtë.
Jo zyrtarisht, kanë nisur të lakohen apo përfliten edhe kandidatë të mundshëm, teksa statuti i PD- së parashikon si mundësi për futjen në garë vetëkandidimin, kandidimin nga antarësia apo edhe nga organet qendrore të PDSH- së. Pas vlerësimit të kandidaturave nga një komision që duhet ti kalojë në sitë për plotësimin e kritereve, emrat e përzgjedhur kthehen për votim nga antarësia me parimin “një antar, një votë”.
Në bazën demokrate të Shkodrës, kanë nisur të lakohet disa emra, teksa ShkodraWeb ka mësuar disa prej tyre, ndoshta më të mundshmit për të qënë realisht pjesë e garës finale. Konkretisht, emrat e deritanishëm janë:
-Tonin Dedaj, ish- zëvendëskryetar i Bashkisë Shkodër në administratën Ademi dhe Spahia
-Lorenc Luka, ish- kryetar i Bashkisë dhe Qarkut Shkodër, ish- deputet dhe ish- kryetar i PD Shkodër
-Arben Lushaj, nënkryetar i PD Shkodër
-Ndoc Ashta, nënkryetar i PD- së Shkodër
-Bardh Spahia, ish- kryetar i Bashkisë Shkodër, ish- deputet, anëtar i kryesisë së PDSH- së
-Tedi Kopliku, pjesë e strukturave të FRPD, Departamenti Brain Gain
-Astrit Bushati, ish- deputet dhe ish- kryetar i PD Shkodër
-Emiljano Çekini, anëtar kryesie PD Shkodër dhe kryetar grupseksioni i PD
-Izmira Ulqinaku, ish- deputete, këshilltare bashkiake e PD
-Imeldi Sokoli, këshilltar bashkiak i PD- së, i afruar nga grupi i PD- së së Bashës në zgjedhjet e 14 majit 2023.
Rikthsojmë së emrat e mësipërm, nuk janë zyrtarë nga asnjë strukturë e PD- së nga baza në qendër. Një pjesë e tyre, synojnë të vetëkandidohen ndërsa të tjerë janë preferenca të grupimeve të ndryshme të antarësisë së PD- së Shkodër.