Ka shkuar në dy numri i viktimave të shpërthimit në Lushnjë. Pas Landi Hoxha, ka ndërruar jetë dhe djali i tij Elidon Hoxha, rreth të 20-ave, gjatë transportimit në spitalin e Traumës.
Babë e bir ndodheshin në vinç në momentin kur mjeti është prekur nga telat e tensionit të rëndë dhe ka shkaktuar shpërthimin e fuqishëm që u mori jetën dhe la të plagosur dhe 8 të tjerë, mes tyre dhe deputetin e PS-së, Bujar Çela.
“Në lidhje me ngjarjen e ndodhur ditën e sotme, në një kapanon në ndërtim, Lushnjë, ju informojmë se ka ndërruar jetë dhe shtetasi i dëmtuar nga shpërthimi, shtetasi E. H.
Në momentin e shpërthimit ndërroi jetë shtetasi L. H, dhe u plagosën tetë shtetas. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë Fier, vijon veprimet për zbardhjen e motiveve dhe shkaqeve të kësaj ngjarjeje”, njofton policia.
Kujtojmë se ngjarja ndodhi rreth orës 16:05 në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Plasmasit”, në një kapanon në ndërtim. Dyshohet se gjatë punës, vinçieri duke drejtuar vinçin, aksidentalisht ka prekur linjën e tensionit të lartë dhe për rrjedhojë ka ndodhur shpërthimi i fuqishëm.
Policia bën me dije se është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e rrethanave dhe shkakut të shpërthimit.