Një incident i rëndë ka ndodhur sot në fshatin Vrakë të Malësisë së Madhe, ku dy persona janë plagosur gjatë një përplasjeje që ka përfshirë edhe armë zjarri.
Sipas informacionit të parë, dy të plagosurit, të identifikuar paraprakisht nga policia si Besmir Çofi dhe Avenir Hasanaj janë transportuar me urgjencë në spitalin rajonal të Shkodrës për të marrë ndihmë mjekësore. Stafi mjekësor është duke ofruar kujdesin e nevojshëm dhe gjendja e tyre është raportuar si e qëndrueshme, por në vëzhgim të afërt. Ndërkohë, dyshohet se se autori i kësaj ngjarje është shtetasi Lul Rakaj.
Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe është duke kryer hetime për të zbardhur rrethanat dhe motivet e këtij episodi të dhunshëm. Sipas informacioneve, autori i dyshuar i këtij incidenti, Lul Rakaj, i cili është shpallur në kërkim nga policia, është i njohur për një rast tjetër të rëndë në të kaluarën. Rakaj është i njohur për një ngjarje të ngjashme që ndodhi afro 13 vjet më parë në Hot të Malësisë së Madhe, ku ai vrau Kolë Gjoka. Ky akt hakmarrjeje ishte një pasojë e vrasjes së babait të Rakajt nga Gjoka më herët.
Deri tani, motivet e incidentit mbeten të paqarta dhe autoritetet po punojnë për të mbledhur të gjitha informacionet e nevojshme për të zbardhur ngjarjen.
Malësi e Madhe/Informacion paraprak
Rreth orës 09:45, në fshatin Vrakë, në hyrje të një lokali, dyshohet se shtetasi L. R., ka plagosur me armë zjarri shtetasit B. Ç dhe A. H, të cilët janë transportuar në spitalin rajonal të Shkodrës për ndihmë mjekësore.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje bashkë me grupin hetimor dhe drejtues të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër.
Në ndihmë të Policisë Vendore për kapjen e autorit kanë shkuar dhe grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër dhe vijojnë kontrollin e zonës dhe në ambjente të ndryshme ku dyshohet se mund të jetë fshehur autori i dyshuar.
Grupi hetimor në drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit.