Ish-drejtori i postës në Korçë, Valter Gora dhe ish-specialisti i sigurisë, Albano Bibo janë arrestuar nga policia ditën e sotme, të akuzuar për shpërdorim detyre, pasi dyshohet se kanë falsifikuar dokumenta qiramarrje, për përfitime personale.
Me një njoftim për mediat, Policia bën me dije se po ashtë është shpallur në kërkim një qytetar me inicialet S. M., 39 vjeç, si dhe i është ndaluar dalja jashtë shtetit 7 punonjësve të tjerë të postave të Korçës, Maliqit dhe Pogradecit.
Sipas Policisë, këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë shfrytëzuar postin për të falsifikuar kontrata qiramarrjeje për ambiente të cilat do të përdoreshin nga Posta Shqiptare në filialet Korçë, Maliq dhe Pogradec.
Pas një hetimi disa mujor, rezultoi se ata kanë falsifikuar dokumente duke kryer përcaktime subjektive të ofertave në dobi të shtetasve të ndryshëm, kanë firmosur kontrata fiktive me tejkalime afatesh, kanë nënshkruar kontrata abuzive për dhënie ambientesh me qira në funksion të këtij institucioni, prej të cilave ish-drejtori Gora ka përfituar shuma të konsiderueshme, në mënyrë direkte ose indirekte.
Shuma totale e përfituar si paradhënie nga qiradhënësit është 23.535.000 lekë, shpenzim ky i paargumentuar mbi fondet e programuara të këtij institucioni. Punonjësit për të cilët është vendosr masa shtrënguese ‘ndalim dalje jashtë shtetit’:
A. K., 59 vjeçe, banuese në Korçë (me detyrë përgjegjëse e shërbimeve pranë Postës Shqiptare Dega Korçë),
K. M., 28 vjeçe, banuese në Korçë (me detyrë llogaritare e parë),
A. K., 53 vjeçe, banuese në Korçë (me detyrë specialiste shërbimesh),
B. P., 66 vjeç, banues në Korçë (me detyrë agjent kontrolli),
E. G., 34 vjeçe, banuese në Pogradec (me detyrë përgjegjëse pranë Postës Shqiptare Dega Pogradec),
B. Ç., 45 vjeç, banues në fshatin Podgorie, Maliq (me detyrë punonjës shërbimesh pranë Postës Shqiptare Dega Maliq),
E. M., 32 vjeçe, banuese në Korçë, (me detyrë shefe e financës pranë Postës Shqiptare Dega Korçë).