10 vjet më parë, babai i një 17 vjeçari është vrarë nga vëllai i 65 vjeçarit që u vra sot. Këto janë informacionet e para lidhur me ngjarjen e rëndë në Manati të Lezhës. Policia bën me dije se 17 vjeçari Florian Përvathi është kapur menjëherë pasi kreu ekzekutimin e 65 vjeçarit Lekë Lekgjonaj.
Lezhë/Informacion paraprak
Policia e Lezhës neutralizon dhe vë në pranga në kohë rekord, një 17-vjeçar që kreu vrasjen e 65-vjeçarit, para pak minutash, në fshatin Manati të Lezhës. Sekuestrohet dhe arma e krimit.
Shërbimet e DVP Lezhë dhe të Komisariatit të Policisë Lezhë, menjëherë pas marrjes së njoftimit se në fshatin Manati kishte të shtëna me armë zjarri, kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes. Falë reagimit profesional e të menjëhershëm është bërë i mundur neutralizimi dhe kapja e 17-vjecarit Florian Përvathi.
17-vjeçari, rreth orës 12:00, në rrethana ende të paqarta dyshohet se vrau me armë zjarri shtetasin Lekë Lekgjonaj, 65 vjeç, banues në Manati, dyshohet për motive hakmarrjeje.
Shërbimet e Policisë kanë sekuestruar dhe armën zjarrit pistoletë me të cilën dyshohet se 17-vjeçari kreu krimin. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.