Ndërsa po diskutohet për kandidatët e mundshëm për president të Shqipërisë, në nivel lokal në Shkodër, brenda strukturave të PS- së por jo vetëm, diskutohet mjaft për garën që po zhvillohet për kryetarin e PS- së Shkodër.
Janë të shumtë emrat që janë përfolur, por mesa duket gjithçka ka shkuar drejt shoshitjes e zyrtarizimit të kandidatëve, me një listë të konsoliduar që nuk kalon 10 emra.
ShkodraWeb ka mundur të sigurojë këtë listë, në përbërje të së cilës janë emra të njohur aktual por edhe në vite të socialitëve shkodranë, të cilët kanë dorëzuar dokumentacionin për kandidimin e tyre.
I pari është Arbis Vjerdhja, një figurë e njohur publike në Shkodër, atënat i Këshillit Bashkiak, i cili jo radhë herë ka qenë polemizues e kritik edhe me vetë eksponentë të PS- së e madje edhe kryetarin e PSSH- së Edi Rama, njëkohësisht kryeministër.
Kryetari i Këshillit të Qarkut Hilmi Lakti, është një tjetër emër, i cili ka shprehur dëshirën të futet në fazën e përzgjedhjes për postin e rëndësishëm të PS- së për Shkodrën.
Mirela Dodaj, drejtore e Filialit të Postës Shqiptare është kandidate për kryetare dhe burime brenda PS- së Shkodër bljnë me dije se është edhe e preferuara e drejtueses së PS- së për Qarkun Shkodër Edona Bilali, ministre për Mbështetjen e Sipërmarrjes e deputete.
Luan Harusha, ish- deputet i Shkodrës por edhe me eksperiencën e kryetarit të ish- Komunës Rrethina, mjaft aktiv edhe në fushatat zgjedhore të socialistëve shkodranë, është një kandidat i fortë për këtë post.
Anëtar i Këshillit Bashkiak Shkodër por edhe kryetar i FRESSH Shkodër Erion Metushi, është i gatshëm të marrë mbi supe barrën e drejtimit të PS- së duke zyrtarizuar edhe ai kandidimin.
Emra të tjerë që kanë zyrtarizuar vullnetin e tyre për të kandiduar, edhe ato figura të njohura dhe me kontribute në vite në PS- në e Shkodrës, janë edhe Paulin Ndoja, Valdo Dibra, Vjollca Vuçini dhe Rudi Sokoli.
Afati i fundit për paraqitjen e kërkesave për kandidim ka qenë data 31 maj 2022 dhe në nivel kombëtar, numri i kandidatëve ka kaluar 400 për 61 bashkitë. Sipas udhëzimit të qendrës, procesi i propozimit të kandidaturave për kryetar të partisë së bashkisë ishte i hapur dhe në të morën pjesë të gjithë strukturat e partisë së bashkisë, drejtuesi politik i qarkut, deputetët e asaj bashkie, forumet apo çdo anëtar i spikatur i PS në bashki. Kërkesat u paraqit[n në Asambletë Socialiste të Bashkive ndërsa një kopje u rëgua elektronikisht pranë selisë qendrore të Partisë Socialiste në adresën e e-mail-it: sektoriorganizimit@gmail.com.
Parashikohej se kandidatët për kryetar të partisë të bashkisë duhet të kishin si rregull vendbanim dhe të bëjnë jetën e partisë për një periudhë jo më pak se një vit brenda territorit të bashkisë, të ishin anëtarë të partisë si rregull për një periudhë jo më pak se tre vjet, me arsimin e lartë si dhe të plotësonin kushtet e integritetit moral e ligjor.