Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve zgjodhi të hënën më 9 tetor tre anëtarët e rinj të Këshillit të Lartë Gjyqësor nga radhët e magjistratëve. Tre të zgjedhurit e rinj do të zëvendësojnë Brikena Ukperajn, Marçela Shehun dhe Dritan Hallunajn.
Për pozicionin që mban aktualisht në KLGJ gjyqtarja e Apelit, Brikena Ukperaj, kandiduan dy gjyqtaret Emona Muçi dhe Irida Kacerja. Në mbledhje morën pjesë dhe votuan gjithsej 236 gjyqtarë prej nga Emona Muçi arriti të sigurojë 133 vota, duke u shpallur fituese kundrejt kandidates Kacerja që u votua nga 92 kolegë.
Për dy vendet vakante nga gjykatat e shkallëve të para kandiduan Alma Kodraliu dhe Gentiana Muçaj nga Gjykata e Tiranës. Muçaj u përzgjodh fituese me 114 vota, kundrejt 112 votave që siguroi Kodraliu. Për vendin vakant nga gjykatat e rretheve të shkallës së parë kandidoi i vetëm gjyqtari Markelian Koça i Gjykatës së Durrësit, i cili dhe u zgjodh anëtar i ri i KLGJ-së. Koça do të zëvendësojë këtë pozicion anëtaren Marçela Shehu.
Paralelisht, edhe Kuvendi i Shqipërisë po kryen procedurat për përzgjedhjen e tre anëtareve jo-magjistratë të KLGJ-së, dy prej të cilëve nga radhët e avokatisë dhe një nga shoqëria civile.