Omer Braja, një nga personazhet e spektalit televiziv “Kafazi i Artë” dhe kampion boksi është shpallur në kërkim nga strukturat hetimore të komisariatit Nr.6 në Tiranë, pasi rezulton si i përfshirë në një rast gjobëvënie. Braja po kërkohet nga policia, pas denoncimit të personit, të cilit Braja së bashku me një shokun e vet, i kanë kërkuar 150 mijë euro.
Gjobëvënia e Brajës është bërë së bashku me mikun e vetë nga Shkodra, Vasel Koçeku, i cili aktualisht është arrestuar nga policia si person i dyshuar për veprën penale të “Shtrëngimit me anë të Kanosjes me qëllim marjen e pasurisë”.
Koçeku, është një emër i njohur për policinë kriminale, pasi rezulton me precendetë penale dhe në qershor të 2020 ai i ka shpëtuar një atentati në Shkodër.
Mësohet se ndaj Omer Brajës dhe mikut të tij Vasel Koçeku, disa ditë më parë kishte depozituar denoncim në polici një qytetar me banim në zonën e Yzberishtit, shkruan Oranews.
Personi ka pretenduar se dy persona që i janë prezantuar si Omer Braja dhe Vasel Koçeku, e kanë kërcënuar me jetë nëse ai nuk i jepte sasinë prej 150 mijë euro. Qytetari i ka treguar policisë se këtë shumë jo vetëm që nuk e dispononte, por njëherësh ai ka pohuar se konflikti është transferuar nga Anglia në Tiranë.
Kjo pasi sipas tij, Omer Braja dhe Koçeku, kanë pasur mosmarëveshje me djalin e tij që banon në Angli, për shkak të një sasie droge të kultivuar në shtëpitë e barit. Në pamundësi për tia marë djalit shumën financiare prej 150 mijë euro, Braja dhe Koçeku, kanë ardhur në Tiranë, duke kërkuar përmes presionit sasinë e eurove.
I ndodhur në një situatë të tillë, qytetari i është drejtuar komisariatit Nr.6, duke depozituar kallëzimin penal. Pas hetimeve të kryera dhe me prokurorinë e Tiranës, policia mundi të lokalizojë de arrestojë Vasel Koçekun. Ndërsa miku i tij, Omer Braja, nuk është arritur të gjendet e për pasojë policia tashmë e ka shpallur në kërkim.