Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, si rezultat i provave të siguruara falë një pune të mirëfilltë hetimore, trejavore, të realizuar me metoda speciale hetimi, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Inside”.
Si rezultat i këtij operacioni, u bë ndalimi i shtetasve:
– Rozeta Dobi, 49 vjeçe dhe Havier Dobi, 23 vjeç (nënë e bir), të dy banues në Tiranë.
Nga provat e siguruara në kuadër të këtij operacioni, rezultoi se gjatë periudhës që shtetasja Rozeta Dobi, ka qenë e punësuar për mirëmbajtjen e një banese në Rrugën e Kosovarëve, kjo shtetase, në bashkëpunim me shtetasin Havier Dobi (djali i saj), ka vjedhur në këtë banesë, shuma të konsiderueshme parash dhe sende me vlerë, të cilat arrijnë në vlerë totale, rreth 120 mijë euro.
Gjatë kontrollit të banesës së shtetasve të arrestuar, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 58 150 euro, 7000 dollarë, 368 000 lekë të rinj, sende me vlerë (aksesorë floriri), 3 automjete, 2 prej tyre të blera nga paratë e vjedhura, si dhe veshje të përdorura gjatë kryerjes së kësaj veprimtarie.