Në vijim të hetimeve të thelluara për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të një ngjarjeje të rëndë kriminale, të ndodhur në datën 1 nëntor 2019, në Shkozet, Durrës, bazuar në provat e siguruara, Drejtoria Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSH, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, FNSH dhe Repartin Special Renea, ka organizuar dhe zhvilluar operacionin policor të koduar “Komploti“.
Gjatë këtij operacioni janë ekezkutuar masat e sigurisë “Arrest në burg”, të caktuara nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për shtetasit:
Bashkim Haxhija, 54 vjeç, Marsel Decka, 38 vjeç dhe Gentjan Nderjaku alias Kili Ndërjaku, 40 vjeç, të tre banues në Durrës; Endrit Sinani, 29 vjeç dhe Juljan Pjetri, 45 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Gjithashtu, janë shpallur në kërkim 4 shtetas të tjerë, të dyshuar si bashkëpunëtorë me 5 shtetasit e arrestuar. Mes tyre janë Julian meçaj, Plaurent Dervishaj, Ramazan Rraja. Vijon puna për kapjen e tyre.
Materialet procedurale i kaluan SPAK-ut, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja e funksionarëve publikë”, mbetur në tentativë (ndaj shtetasit Arjan Ndoj), “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” (me pasojë vdekjen e shtetasit Andi Maloku dhe mbetur në tentativë ndaj shtetasit Aleksandër Laho), “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Vjedhja”, më shumë se një herë, të kryera në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal.