Në zbatim të planit të masave, për rritjen e prezencës së shërbimeve policore në territor, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale, trafiqeve të paligjshme, kapjen e personave në kërkim apo të atyre që qarkullojnë me armë zjarri, shërbimet e Policisë kanë shtuar kontrollet në akse rrugore dhe në qendra të banuara.
Bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, për një shtetas që qarkullonte me armë zjarri në automjet është organizuar dhe finalizuar operacioni policor i koduar “Mesnata”, në kuadër të të cilit Forca e Posaçme “Shqiponja” në DVP Lezhë, në bashkëpunim më Komisariatin e Policisë Lezhë, në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Shëngjinit”, kanë lokalizuar dhe ndaluar mjetin e dyshuar.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip “Range Rover”, me drejtues shtetasin Astrit Shekaj, dhe pasagjer shtetasin Armando Vulaj., në bagazhin e këtij automjeti është gjetur një armë zjarri automatik me krehër me fishekë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin.
Në përfundim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Lezhë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve Astrit Shekaj, 37 vjeç dhe Armando Vulaj,27 vjeç, banues në Malësi të Madhe, të dy të dënuar më parë për trafikim të lëndëve narkotike.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë.