Është mësuar identiteti i autorit të krimit në Tiranë, ku pas të shtënave me armë mbeti i vdekur 29-vjeçari Jurgen Duka.
Raportohet se autori është Arbër Sula, 27 vjeç banues në Sauk. Ky i fundit është punonjës policie, me detyrë agjent krimesh në DVP Dibër. Gjatë momentit të ngjarjes, mësohet se ai ka qenë jashtë shërbimi. Siç shihet nga pamjet e siguruara nga BalkanWeb, Sula dhe Duka, ndodhen pranë njëri-tjetrit në banakun e marketit.
Fillimisht, ata konfliktohen verbalisht së bashku, pasi Duka, kishte hyrë pa radhë për të paguar paratë te kasa. Ndërkohë, debatet verbale, në një moment degjenerojnë në konflikt fizik, e deri në përdorimin e armës nga Sula, që rezulton fatale për 29-vjeçarin Jurgen Duka.
Ai shihet teksa bie në tokë pa ndjenja, ndërsa personat që ndodheshin në market largohen me shpejtësi jashtë. Gazetarja Bezat, raporton se autori pas krimit është larguar me një mjet tip “Benz” dhe autoritetet po punojnë për kapjen e tij.