Zyrtarë e Doganave dhe Policia e Malit të Zi mëngjesin e sotëm, rreth orës 01.00, kanë zbuluar 18 pako me lëndë narkotike të dyshuar kokainë, e cila dyshohet se vinte nga Shqipëria. Pas peshimit, ka rezultuar se sasia e lëndës narkotike ishte 18 kg.
Në hyrje të Malit të Zi, mjeti me targa franceze, i drejtuar nga shtetas i Shqipërisë, i identifikuar si Arvid Halili, 34 vjeç, është veçuar për kontroll të detajuar pas procedurës së rregullt doganore të kontrollit të automjeteve dhe pasagjerëve.
NJOFTIMI I POLICISË MALAZEZE
Mbrëmë, sipas të dhënave operative të Drejtorisë së Policisë, është kryer kontroll në një automjet në të cilin janë gjetur 18 kilogramë kokainë, duke bllokuar kontrabandën e kësaj droge narkotike në vendin tonë. Oficerët e Sektorit të Policisë Kufitare dhe Sektori për luftë kundër krimit – Departamenti për luftë kundër drogës, në bashkëpunim me zyrtarët e Drejtorisë së të Ardhurave dhe Doganave, gjatë kontrollit të automjeteve në vendkalimin kufitar, gjetën dhe sekuestruan 18 kg kokainë.
Përmes kontrollit të detajuar të automjetit, në një bunker të posaçëm, janë gjetur dhe sekuestruar 18 pako me lëndë pluhuri të bardhë, e dyshuar si lëndë narkotike kokainë, me peshë totale rreth 18 kilogramë. Me urdhër të prokurorit të shtetit, në Prokurorinë e Lartë të Shtetit në Podgoricë, Arvid Halilit i është hequr liria nën dyshimin se ka kryer veprën penale të prodhimit, posedimit dhe shpërndarjes së paautorizuar të drogave narkotike.