Briken Sanaj, 39-vjeç nga Lezha është ekzekutuar mbrëmjen e djeshme (30 tetor) me breshëri plumbash kallashnikovi në zonën e njohur si ‘Kodra e Diellit’ në kryeqytet. Bëhet me dije se 39-vjeçari është qëlluar me breshëri plumbash nga një makinë, e cila është larguar menjëherë.
Në vendin e ngjarjes është gjetur vetëm një gëzhojë, ndërsa mësohet se Briken Sanaj ka marrë 3 plumba në fytyrë dhe është qëlluar nga një distancë e afërt, sapo ka dalë nga garazhi ku kishte lënë makinën.
Ai është dërguar në spital nga shoku i tij me një makinë tip ‘Audi’, por 39-vjeçari nuk ka arritur që të mbijetojë dhe ka ndërruar jetë rrugës për në spital. Ai kishte më shumë se një vit që ishte rezident te ‘Kodra e Diellit’, ndërsa nga rojet njihej edhe me emrin si Anton Gjini.
Ndërkohë sipas bluve të kryeqytetit, në Qafë-Kashar, në afërsi të një biznesi pllakash, është gjetur duke u djegur, një automjet tip ‘Benz’, me targa ‘AA777GY’, i cili dyshohet se u përket autorëve. Targat e makinës tip ‘Benz’ i përkasin shtetasin Luan Qanushi, të cilat ishin të vjedhura. Brenda makinës janë gjetur dhe armë tip kallashnikov. Policia thotë se ka shoqëruar disa persona në polici, ndërsa janë ngritur pika kontrolli dhe po vijon krehjen e zonës.