Nisin hetimet për zyrtarin e lartë të policisë, Sabri Jacaj, teksa ky i fundit sipas Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dyshohet se ka kryer shkelje të rëndë të detyrës.
Aktualisht ai është shef në Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Mësohet se hetimi ka nisur pas të dhënave të siguruara nga kqyrja e një celulari të një efektivi, i cili është sekuestruar më parë. Në komunikimet e gjetura janë zbuluar biseda mes tyre për të favorizuar subjekte private për fshehje të ardhurash dhe evazion fiskal. Krahas hetimit penal vijon dhe ai administrativ.
Kush është Sabri Jacaj
Ai lindi më 20 korrik të vitit 1962 në Shkodër. Mbaroi studimet në Shkollën e Lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, dega “Polici”. Gjithashtu, pas viteve ‘90 ai studioi për Drejtësi në Fakultetin Juridik. Ishte 31 vjeç kur mori detyrën e parë si punonjës i Policisë së Shtetit, ndërsa në detyrën e drejtorit në Shkodër qëndroi vetëm dy vjet, nga 22 qershor të vitit 1993 deri më 15 qershor të vitit 1995 kur u shkarkua nga detyra.
Jacaj ka mbajtur disa poste të rëndësishme, ka qenë edhe zëvendësministër i Rendit Publik. Gjithashtu, ai ka qenë edhe ndihmës i sekretarit të Shtetit për rendin publik. Sabri Jacaj në vitin 1995 u lirua nga detyra me urdhër të presidentit të kohës, Sali Berisha. Pas shkarkimit atij iu hoq edhe grada e gjeneralit. Sabri Jaçaj u la pa punë për gati një dekadë.
Ai u rikthye në polici në vitin 2004, por dy vite më vonë u shkarkua sërish nga puna, me motivacion “reformim strukture”. Në vitin 2013 Jacaj u rikthye sërish në polici, ndërsa sot punon në administratën e Policisë së Shtetit.