Shërbimet e Policisë Kurbin, në zbatim të planit të masave për mbajtjen nën kontroll të personave me tendenca kriminale, kapjen e personave në kërkim dhe atyre që qarkullojnë me armë zjarri pa leje, kanë intensifikuar punën dhe si rezultat i kontrolleve të shtuara, mbi bazën dhe të informacioneve të siguruara në rrugë operative nga Polica e Kurbinit, për një shtetas në kërkim, i cili qarkullonte dhe me armë zjarri në automjet, kanë organizuar punën duke finalizuar operacionin policor të koduar “Ndërhyrja në Kohë”.
Në kuadër të operacionit u kap dhe u ndalua shtetasi Armando Marashi, 27 vjeç, banues në Fushë Kuqe, Kurbin, me precedentë të mëparshëm kriminal, në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe të vjedhjes dhe i shpallur në kërkim policor nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, i dyshuar për veprën penale të vjedhjes me anë të mashtrimit.
Gjatë kontrollit në automjet u gjet një armë zjarri automatik, një krehër me 30 fishekë, municion luftarak, një pala targa automjeti të denoncuara të vjedhura në Tiranë, lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa, si dhe sende të tjera të kundërligjshme, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit: Armando Marashi, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”,” Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Vjedhja”.
Në bashkëpunim me Prokurorinë , strukturat hetimore të DVP Lezhë po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të këtij rasti pasi nga informacionet e marra në rrugë operative dyshohet se ky shtetas mund të kryente vepër penale në fushën e krimeve ndaj personit apo të vjedhjes me armë.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Kurbin, për veprime të mëtejshme.